Laporta e sulmon Real Madridin: Po e humb prestigjin dhe kredibilitetin

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka lëshuar kritika të ashpra në drejtim të rivalit të përbetuar, Real Madridit, duke pretenduar se klubi madrilen po humb prestigjin, respektin dhe kredibilitetin në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Laporta u ndal edhe te qëndrimi i Real Madridit në lidhje me çështjen Negreira, duke akuzuar klubin madrilen se ka tentuar ta dëmtojë imazhin e Barcelonës përmes akuzave që, sipas tij, nuk janë dëshmuar.

“Vazhdoj të them se ata janë përpjekur të na dënojnë para se të gjykoheshim. Megjithatë, po dëshmohet se nuk kishte asgjë të vërtetë në akuzat që na janë bërë. E gjithë kjo do të përfundojë me pafajësinë e Barcelonës”, deklaroi Laporta.

Ai shtoi se ata që janë përpjekur vazhdimisht ta dëmtojnë imazhin e klubit katalunas do të detyrohen të tërhiqen nga qëndrimet e tyre.

Laporta: Reali po e humb kredibilitetin

Kreu i Barcelonës kritikoi gjithashtu qëndrimin e Real Madridit në raport me institucionet e futbollit dhe basketbollit, duke përmendur mungesën e përfaqësuesve të klubit madrilen në disa takime institucionale.

“Kjo tregon shumë për qëndrimin e një klubi që po humb prestigjin, njohjen dhe kredibilitetin në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ata kanë zgjedhur një qasje shumë arrogante dhe mendjemadhe. Le ta dinë vetë se çfarë po bëjnë, por duhet të jenë më kritikë ndaj vetvetes”, u shpreh Laporta.

Barcelona po shijon momentin e mirë

Presidenti i Barcelonës foli edhe për formën dhe atmosferën pozitive brenda klubit katalunas, duke theksuar se skuadra po merr vlerësime të shumta.

“Po e shijojmë futbollin. Në skuadër kemi nëntë lojtarë që janë shpallur kampionë të botës me Spanjën. Jemi një ekip që ngjall pasion dhe merr lavdërime nga të gjitha anët. Nga Madridi po përpiqen ta minimizojnë këtë”, përfundoi ai.

Deklaratat e Laportës pritet ta shtojnë edhe më shumë tensionin mes dy rivalëve historikë të futbollit spanjoll, Barcelonës dhe Real Madridit. /Zëri