Hoxhaj uron PDK-në për 27-vjetorin: Sot, mendjen dhe urimin e kam edhe në Hagë

Ish-drejtuesi i Partisë Demokratike të Kosovës, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka uruar PDK-në për 27 vjetorin e themelimit, duke përmendur njerëzit me të cilët siç tha ai, ka ndarë përgjegjësi, beteja politike dhe besimin se Kosova do të bëhet shtet.

“…Për mua, kjo ditë lidhet me njerëz me të cilët kam ndarë përgjegjësi, beteja politike dhe besimin se Kosova do të bëhet shtet. Me bashkëpunëtorë e miq, me aktivistë që nuk u lodhën kurrë dhe me familje që na besuan edhe në ditët më të vështira. Urime secilit prej jush!…”, është shprehur Hoxhaj.

Ai përmendi Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin të cilët gjenden në Hagë, duke i uruar dhe rikujtuar rrugëtimin në PDK që e kanë bërë bashkë.

“…Sot, mendjen dhe urimin e kam edhe në Hagë, te Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi. Me ta kemi punuar për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të njohur në botë. Jam krenar për rrugën që kemi bërë bashkë dhe qëndroj pranë tyre me të njëjtën bindje. UÇK-ja solli çlirimin, PDK-ja i priu shtetformimit. Këtë histori e kemi jetuar dhe nuk e rishkruan asnjë gjykatë! Gëzuar ditëlindjen, PDK! Rroftë Kosova!”, shkroi deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj.