Sky Sport: Edon Zhegrova do të jetë titullar të dielën ndaj Cagliarit
Edon Zhegrova pritet ta nisë nga minuta e parë ndeshjen e Juventusit kundër Cagliarit, që zhvillohet të dielën në kuadër të Serie A.
Pas paraqitjeve pozitive gjatë periudhës së ndeshjeve me përfaqësueset, anësori kosovar po fiton gjithnjë e më shumë besimin e trajnerit Luciano Spalletti.
Sipas Sky Sport, Zhegrova është shumë pranë aktivizimit si titullar në duelin e së dielës, më 11 tetor, kur Juventusi luan në udhëtim ndaj Cagliarit, me fillim nga ora 20:45.
25-vjeçari është një nga alternativat që mund t’i japë më shumë kreativitet dhe depërtim skuadrës torineze në fazën sulmuese.
Shpejtësia, driblimet dhe aftësia për të krijuar raste janë cilësi që mund ta ndihmojnë Juventusin në këtë transfertë.
Sipas formacionit të mundshëm të publikuar nga Sky Sport, Zhegrova pritet të luajë në krahun e djathtë të repartit ofensiv, në skemën 4-2-3-1 të Spallettit.
Për futbollistin kosovar, një vend në formacionin bazë do të ishte një mundësi e rëndësishme për të dëshmuar vlerat e tij dhe për të fituar më shumë hapësirë në skuadrën bardhezi.
Megjithatë, bëhet fjalë për formacionin e mundshëm, ndërsa vendimi përfundimtar i takon trajnerit Spalletti. /Zëri