Deputeti Bajrami: Partitë në Kosovë garojnë për vendin e dytë, LVV-ja nuk e lëshon lidershipin
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Alban Bajrami, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje mbetet forca kryesore politike në Kosovë.
Ai komentoi edhe zhvillimet e fundit politike, kur VV-ja dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) gjetën gjuhë të përbashkët për zgjedhjen e presidentes, post të cilin e mori Justina Shiroka-Pula.
“PDK-ja e kishte të pamundur të votonte ndryshe, pasi kryeministri Albin Kurti bëri një ofertë shumë të favorshme dhe të arsyeshme. Partitë e tjera garojnë për vendin e dytë dhe të tretë. Nëse do të shkonim në zgjedhje, PDK-ja do të dënohej nga qytetarët. Edhe në pesë palë zgjedhje nëse shkojmë, sërish fiton Vetëvendosje”, ka thënë Alban Bajrami.
Ai shpreson se presidentja e sapozgjedhur e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, do ta kryejë detyrën e saj në mënyrën më të mirë të mundshme, në të mirë të vendit.
“Shpresoj se presidentja do ta zbatojë ligjin dhe vendi të ecë përpara”, theksoi Alban Bajrami. /tëvë1