Kurti takon ambasadorin italian, flasin edhe për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Kryeministri Albin Kurti ka takuar ambasadorin e Italisë, Maurizio Antoninin, ku ndër të tjera kanë folur edhe për aktgjykimin e 16 shtatorit në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Pos kryetemës, ai tha se ata folën edhe për integrimin evropian dhe rolin e Italisë në zhvillimin e Kosovës.

“Përfundimi i procesit të formimit dhe funksionalizimit të institucioneve është veçse kthim me përqendrim të plotë te programi i punës dhe planet për zhvillim, dhe pikërisht për këtë biseduam në takimin që pata me ambasadorin e Italisë, Maurizio Antonini, nga i cili pranova urime për zgjedhjen e presidentes”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Krahas aktualitetit, përfshirë aktgjykimin e 16 shtatorit në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, biseduam për procesin e integrimit evropian, rolin e Italisë dhe rëndësinë e mbështetjes së saj në avancimin e statusit të Kosovës në shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

Kurti shtoi se ata janë mirënjohës ndaj Italisë për përkrahjen dhe kontributin e saj në zhvillimin e Kosovës, dhe se synojmë zgjerimin e bashkëpunimit në të gjithë sektorët me interes të përbashkët, përfshirë sportin”.