Simeone për Messin: Na mësoi të luftojmë dhe të mos dorëzohemi në momentet e vështira
Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, ka shprehur admirimin e tij për Lionel Messin, pas paraqitjes së fundit të yllit argjentinas me fanellën e kombëtares.
Në konferencën për media para ndeshjes ndaj Deportivo Alavesit, Simeone vlerësoi jo vetëm sukseset dhe statistikat e jashtëzakonshme të kapitenit të Argjentinës, por edhe mesazhin që ai ka përcjellë gjatë karrierës së tij.
“Dua ta falënderoj si argjentinas për gjithçka që na ka dhënë. Na ka dhuruar shumë gëzime, por mbi të gjitha na ka mësuar të luftojmë dhe, kur gjërat nuk shkojnë mirë, të vazhdojmë të këmbëngulim. Ky është, të paktën për mua, kontributi më i madh i Messit për argjentinasit”, deklaroi Simeone.
Trajneri i Atletico Madridit theksoi gjithashtu se vazhdimësia e Messit në nivelet më të larta për më shumë se dy dekada është diçka e jashtëzakonshme.
“Për sa u përket statistikave, ai është i paarritshëm. Rritja e tij si person dhe si sportist i ka tejkaluar të gjithë kufijtë. Gjithmonë është sjellë me respekt dhe korrektësi, ndërsa është e vështirë ta ruash një nivel të tillë për 20 apo 25 vjet”, u shpreh argjentinasi.
Simeone u pyet edhe për krahasimin mes Messit dhe Diego Armando Maradonës, dy legjendave të futbollit argjentinas, por shmangu zgjedhjen mes tyre.
“Nuk dua të bie në demagogjinë e lehtë të zgjedhjes së njërit prej tyre. Kam pasur fatin të luaj me Maradonën, por jo me Messin. Ne argjentinasit duhet të jemi mirënjohës që kemi pasur dy futbollistë të jashtëzakonshëm, më të mirët në histori”, përfundoi Simeone.
Messi e mbylli paraqitjen e tij të fundit me kombëtaren argjentinase më 6 tetor, në ndeshjen ndaj Beninit.
Gjatë karrierës me Argjentinën, ai fitoi Kupën e Botës në vitin 2022, dy herë Copa América, në vitet 2021 dhe 2024, si dhe Finalissiman në vitin 2022. /Zëri