Mbreti Charles paguan 1.5 milionë paund për dëmet në rezidencën e ish-princi Andrew

Mbreti Charles ka paguar 1.5 milionë paund nga paratë e tij private për të mbuluar dëmet dhe riparimet e nevojshme në Royal Lodge, ish-rezidenca e Andrew Mountbatten-Windsor në Windsor.

Shuma përfaqëson detyrimin financiar që Andrew kishte ndaj Crown Estate, institucionit që administron pronën, për shkak të gjendjes së keqe në të cilën u la ndërtesa pas largimit të tij.

Fillimisht, fatura për dëmet dhe riparimet arrinte në 1.8 milionë paund, por kjo shumë u ul me 300 mijë paund, të cilat Andrew do t’i përfitonte nëse do të largohej më herët nga rezidenca. Në fund, Crown Estate mori 1.5 milionë paund, ndërsa ka sqaruar se nuk i ka paguar asnjë shumë parash Andrew-t pas përfundimit të kontratës.

Andrew u largua nga Royal Lodge në shkurt të këtij viti dhe u zhvendos në Sandringham, ndërsa vëllai i tij, Mbreti Charles, po mbulon shpenzimet e jetesës dhe akomodimit të tij.

Largimi ndodhi në një periudhë kur dolën në pah të tjera detaje rreth lidhjeve të Andrew-t me Jeffrey Epstein, i dënuar në Shtetet e Bashkuara për krime seksuale. Ish-princi i ka mohuar vazhdimisht akuzat për shkelje të ligjit në lidhje me këtë çështje.

Edhe pse Andrew u largua nga rezidenca në shkurt, kontrata e tij e qirasë mbeti në fuqi deri në tetor 2026. Marrëveshja ishte lidhur në vitin 2003 për një periudhë 75-vjeçare dhe parashikonte që ai të kryente pagesa të konsiderueshme paraprake, përfshirë rreth 7.5 milionë paund për riparimet. Në këmbim, ai nuk paguante qira mujore.

Kontrata parashikonte gjithashtu se, nëse Andrew hiqte dorë nga prona brenda 25 viteve të para, ai mund të përfitonte një kompensim, shuma e të cilit zvogëlohej me kalimin e viteve. Në rast se kontrata do të përfundonte në tetor 2026, ai do të kishte të drejtë të merrte rreth 302 mijë paund.

Megjithatë, kjo shumë u tejkalua nga detyrimi për dëmet dhe riparimet e pronës, duke bërë që në fund Andrew të mos përfitonte para nga përfundimi i kontratës.

Sipas informacioneve të bëra publike, pagesa nga Mbreti Charles synon të sigurojë që Crown Estate të mos pësojë humbje financiare nga kjo marrëveshje.

Ndërkohë, Andrew u arrestua në shkurt nën dyshimin për shpërdorim të detyrës publike. Një vendim gjykate i së enjtes ngriti pikëpyetje mbi urdhërarrestet e përdorura nga policia gjatë hetimeve. /abcnews