Ish-ylli i Barcelonës befason: “Yamal nuk do të ishte titullar në ekipin e vitit 2012”
Lamine Yamal nuk do ta kishte siguruar vendin në formacionin titullar të Barcelonës në vitin 2012, sipas ish-anësorit të katalanasve, Cristian Tello, i cili thekson cilësinë e jashtëzakonshme të sulmuesve që kishte skuadra në atë periudhë.
Tello, i cili së fundmi i dha fund karrierës si futbollist, u pyet nga gazeta spanjolle Sport se si do të kishte performuar Yamal te Barcelona në vitin 2012.
“Titullar? Nuk mendoj kështu. Do ta kishte pasur shumë të vështirë të arrinte deri aty”.
“Mendoj se do të ishte ngritur në nivelin që ka sot dhe do të kishte treguar atë që tregon aktualisht, por do të kishte qenë e komplikuar”, u shpreh spanjolli.
“Siç thashë, po flasim për Alexis Sanchez, Pedro, Villa, Messi dhe Neymar... Këta janë lojtarë të një niveli të jashtëzakonshëm dhe për çdo futbollist që vinte nga akademia do të ishte shumë e vështirë të gjente një vend mes tyre në ekipin e parë”.
Sipas ish-lojtarit të dalë nga akademia La Masia, sot futbollistët e rinj 16, 17 dhe 18 vjeç e kanë shumë më të lehtë të depërtojnë në ekipin e parë.
“Po, tani është diçka më e zakonshme. Ekipi i parë aktualisht përfshin një numër shumë të madh lojtarësh të rinj dhe për këtë arsye bëhet më e lehtë që këta futbollistë të depërtojnë”, përfundoi ai. /telegrafi