Milani në pozitë të favorshme për futbollistin e Realit në janar

Milani është në pozitë të favorshme për transferimin e Endrickut, i cili po mendon të largohet nga Real Madridi gjatë afatit kalimtar të janarit, në kërkim të më shumë minutave në fushë.

Sulmuesi brazilian nuk po gjen hapësirat e dëshiruara te skuadra madrilene, ku konkurrenca e madhe në repartin ofensiv po ia vështirëson rrugën drejt formacionit titullar.

Sipas raportimeve të mediave italiane, Milani synon ta transferojë 20-vjeçarin në formë huazimi dhe shpreson që në janar ta bindë Real Madridin për ta lënë të lirë.

Endrick ka luajtur vetëm katër minuta në këtë fillim të sezonit nën drejtimin e trajnerit José Mourinho.

Kjo situatë po e shtyn brazilianin të shqyrtojë mundësinë e largimit, në mënyrë që të fitojë më shumë përvojë dhe të ruajë shanset për t’u ftuar në përfaqësuesen e Brazilit.

Milani nuk është klubi i vetëm i interesuar për shërbimet e tij.

Edhe Roma dhe Aston Villa po e përcjellin situatën e sulmuesit, por kuqezinjtë besojnë se kanë avantazh në këtë garë.

Klubi italian synon të shfrytëzojë marrëdhëniet e mira të drejtuesve të tij me përfaqësuesit e lojtarit për ta realizuar marrëveshjen.

Real Madridi, nga ana tjetër, pritet të shqyrtojë kryesisht mundësinë e huazimit, duke mos dashur ta humbasë kontrollin mbi të ardhmen e një prej talenteve më premtues të futbollit brazilian.

Endrick kaloi pjesën e dytë të sezonit të kaluar në huazim te Lyoni, ku pati më shumë mundësi për të luajtur.

Tani, një aventurë e re në Serie A mund t’i ofrojë hapësirat që i mungojnë në Madrid. /Zëri