Gërvalla pret ambasadorin e ri francez, reforma në drejtësi në fokus të takimit

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka pritur të premten në takim ambasadorin e ri të Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, të cilit i ka uruar mirëseardhje në misionin e tij diplomatik në Republikën e Kosovës.

Sipas njoftimit, gjatë takimit, Gërvalla ka shprehur vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme të Francës në zhvillimin demokratik të Kosovës, ndërsa është riafirmuar rëndësia e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Franca është partnere e rëndësishme e Republikës së Kosovës dhe vendi me të cilin ndajmë vlera demokratike dhe synime të përbashkëta për forcimin e institucioneve, sundimin e ligjit dhe integrimin evropian të vendit tonë”, ka deklaruar Gërvalla.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua reformës në drejtësi, të cilën ministrja e ka cilësuar si një nga proceset kryesore për konsolidimin e shtetit ligjor.

Ajo ka theksuar rëndësinë e themelimit dhe funksionalizimit të Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe zbatimin e pakos së projektligjeve për reformimin e sistemit të drejtësisë.

Gërvalla ka vlerësuar gjithashtu se procesi i vetingut mbetet thelbësor për garantimin e integritetit, llogaridhënies dhe rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Ministrja ka ritheksuar gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit me Francën në zbatimin e reformave, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përafrimin e legjislacionit të Kosovës me standardet evropiane.

“Synimi ynë mbetet i qartë, shtet i fortë e Republikë me institucione të pavarura dhe profesionale, drejtësi pa kompromis me korrupsionin dhe një shtet ku askush, bash askush, nuk qëndron mbi ligjin”, ka deklaruar ministrja Gërvalla.