Drejtori sportiv i Bayernit flet për vazhdimin e kontratës së Kanes: Të gjithë e dinë çfarë duam, ja kur priten të rejat

Bayern Munich vazhdon të punojë për rinovimin e kontratës së Harry Kanes, ndërsa drejtori sportiv Christoph Freund ka konfirmuar se negociatat po zhvillohen në një atmosferë shumë pozitive.

“Për momentin nuk ka ndonjë të re. Bisedimet janë të mira dhe jemi shumë, shumë pozitivë. Të gjithë e dinë se duam patjetër ta rinovojmë kontratën me Harryn. Ai ndihet jashtëzakonisht mirë këtu, por këtë e kemi thënë edhe më parë”, ka deklaruar Freundi.

Sulmuesi anglez ka kontratë me klubin bavarez deri në verën e vitit 2027, por të dyja palët synojnë vazhdimin e bashkëpunimit edhe për disa sezone të tjera.

Sipas raportimeve nga Gjermania, në tavolinë është një marrëveshje e re deri në vitin 2029. Megjithatë, ende mbeten disa detaje për t’u zgjidhur përpara se rinovimi të bëhet zyrtar.

Kane, i cili iu bashkua Bayernit në vitin 2023 nga Tottenham Hotspur, është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.

Sulmuesi anglez ka shprehur gjithashtu dëshirën për të vazhduar aventurën në Munih, ku ndihet mirë së bashku me familjen e tij.

Në klubin gjerman mbizotëron optimizmi se marrëveshja do të arrihet, ndërsa tifozët presin që golashënuesi kryesor i skuadrës të sigurojë të ardhmen e tij në Munih përtej kontratës aktuale. /Zëri