Mbahen konsultimet politike ndërmjet Kosovës dhe Japonisë

Në Prishtinë u mbajtën konsultimet politike ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Japonisë, në kuadër të dialogut të rregullt politik dhe institucional ndërmjet dy vendeve.

Konsultimet u kryesuan nga sekretari i përgjithshëm i MPJD-së Ilir Muçaj dhe ambasadori i ngarkuar për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Japonisë, Naoki Takahashi. Gjatë konsultimeve, palët diskutuan për marrëdhëniet politike ndërmjet dy vendeve, bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, si dhe mundësitë për iniciativa të reja në funksion të thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral.

Palët shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi zhvillimet dhe sfidat rajonale, përfshirë sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal, procesin e integrimit evropian të Kosovës, si dhe çështje me interes të përbashkët në kuadër të bashkëpunimit shumëpalësh. Në këtë kuadër, u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit më të ngushtë në forumet ndërkombëtare dhe mbështetjen për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Konsultimet rikonfirmuan rëndësinë e dialogut të rregullt ndërmjet dy vendeve dhe gatishmërinë e përbashkët për të vijuar angazhimin në drejtim të forcimit të marrëdhënieve Kosovë–Japoni dhe zgjerimit të bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.