Zulfaj kërkon mbështetjen e Hungarisë për statusin kandidat të Kosovës në BE
Kryenegociatori i Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, po qëndron për vizitë në Budapest.
Zulfaj gjatë qëndrimin atje ka kërkuar mbështetjen aktive të Hungarisë që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim në BE.
Përmes një postimi në Facebook, Zulfaj vizitën e ka nisur me një takim me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Hungarisë, Laszlo Gyorgy, ku e falënderoi për kontributin e Hungarisë në paqen dhe sigurinë e Kosovës përmes misionit të NATO-s, KFOR.
Fokus i takimit ishte procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në prag të Pakos së Zgjerimit që Komisioni Evropian pritet ta publikojë në fund të tetorit. /Zëri
Postimi i plotë:
Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, po qëndron për vizitë në Budapest.
Vizitën e nisi me një takim me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Hungarisë, Laszlo György Velkey.
Kryenegociatori Zulfaj e falënderoi për kontributin e Hungarisë në paqen dhe sigurinë e Kosovës përmes misionit të NATO-s, KFOR. Hungaria është kontribuuesi i madh i misionit. Ai vlerësoi edhe programin e bursave ‘Stipendium Hungaricum’, përmes të cilit qindra studentë nga Kosova kanë studiuar në universitetet hungareze.
Fokus i takimit ishte procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në prag të Pakos së Zgjerimit që Komisioni Evropian pritet ta publikojë në fund të tetorit. Zulfaj kërkoi mbështetje aktive të Hungarisë që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapen negociatat për anëtarësim.
Ai theksoi se procesi duhet të udhëhiqet nga meritat, duke filluar nga vlerat themelore të BE-së dhe linjëzimi me politikën e jashtme. Kosova i jeton këto vlera, demokracinë, lirinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.
E falënderoi për mbështetjen e Hungarisë dhe e përshëndeti rolin e saj në grupin Miqtë e Ballkanit Perëndimor dhe kërkoi mbështetjen aktive të Hungarisë në hapat e ardhshëm drejt anëtarësimit në BE.