Musliu-Shoshi: Mos i ktheni shigjetat kah Hamza, PDK-ja nuk është tradhtuar

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se partia e saj nuk është mashtruar ose tradhtuar, por ka vepruar mbi bazën e parimeve, duke kërkuar që përgjegjësia për vendimet politike të mos u faturohet individëve.

Në një reagim në Facebook, Musliu-Shoshi ka thënë se PDK-ja i ka dhënë Kosovës institucione dhe ka treguar përkushtim për mbrojtjen e sakrificës dhe luftës çlirimtare.

“Prandaj, mos i ktheni shigjetat kah Bedri Hamza e kah PDK-ja!”, shkroi ajo.

Sipas saj, nuk mund të kërkohet dorëheqje individuale për vendime që nuk janë marrë individualisht.

“Përgjegjësia duhet të jetë aty ku janë marrë vendimet”, theksoi Musliu-Shoshi.

Ajo shtoi se PDK-ja qëndron me përgjegjësi institucionale dhe ndaj vendit, duke e cilësuar Kosovën si atdhe dhe amanet që nuk duhet tradhtuar. /Zëri