Dy gola pas rikthimit nga lëndimi, Neymari shpëton Santosin nga humbja ndaj Flamengos

Ylli brazilian rikthehet pas pesë javësh mungesë dhe realizon dy herë nga penalltia, duke i siguruar Santosit barazimin 2:2 ndaj liderit të kampionatit.

Neymar u rikthye në fushën e blertë me një paraqitje vendimtare, duke e shpëtuar Santosin nga humbja ndaj Flamengos në kuadër të xhiros së 29-të të kampionatit brazilian.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Vila Belmiro” përfundoi 2:2, pasi Santos arriti të rikthehej nga disavantazhi prej dy golash, falë dy realizimeve të yllit të saj.

Flamengo e mbylli pjesën e parë me epërsi prej dy golash. Danilo shënoi për 1:0, ndërsa Lucas Paqueta e dyfishoi rezultatin, duke e vënë Santosin në një pozitë të vështirë.

Megjithatë, hyrja e Neymarit në fillim të pjesës së dytë ndryshoi rrjedhën e ndeshjes.

Sulmuesi brazilian fitoi dhe realizoi dy penallti, duke barazuar rezultatin dhe duke i dhënë skuadrës së tij një pikë të rëndësishme.

Për Neymarin, ky ishte rikthimi i parë pas pesë javësh jashtë fushave për shkak të një lëndimi muskulor në kofshën e djathtë, të pësuar në ndeshjen kundër Palmeirasit më 2 shtator.

Ai u inkuadrua në pjesën e dytë, në vend të Philippe Coutinhos, dhe dëshmoi se ende mund të bëjë diferencën në momente vendimtare.

Në anën tjetër, Flamengo mbeti në krye të kampionatit brazilian me 61 pikë, ndërsa Santos arriti në kuotën e 42 pikëve dhe renditet në vendin e tetë.

Pavarësisht se nuk arriti fitoren, Santos mori një pikë të vlefshme, ndërsa rikthimi i Neymarit përbën një lajm të rëndësishëm për skuadrën në vazhdim të sezonit.

Megjithatë, sulmuesi nuk pritet të jetë në dispozicion për ndeshjen e ardhshme ndaj Atletico Mineiros, pasi dëshiron të shmangë paraqitjet në stadiume me fushë sintetike. /Zëri