Stuhia e Flickut, Barcelona e kërcënon fronin e Real Madridit

Barcelona po vazhdon të shkruajë histori në La Ligë nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick, duke e nisur sezonin e ri me rezultate mbresëlënëse dhe duke synuar rekorde që deri tani i mbajnë rivalët e tyre të përjetshëm, Real Madrid.

Gjiganti katalunas i ka fituar të shtatë ndeshjet e para në kampionat, duke regjistruar një fillim të përsosur të sezonit.

Një tjetër fitore ndaj Getafes, në ndeshjen e së shtunës në “Spotify Camp Nou”, do t’i mundësonte Barcelonës të barazonte rekordin e saj historik për fillimin më të mirë të një edicioni të La Ligës.

Ky rekord u vendos në sezonin 2013/14, kur Barcelona drejtohej nga Tata Martino.

Në atë edicion, katalunasit arritën tetë fitore radhazi, përpara se Osasuna t’ua ndalte serinë me një barazim pa gola në javën e nëntë.

Megjithatë, skuadra e Flickut ka arsye të tjera për të ëndërruar.

Barcelona ka grumbulluar 21 pikë nga 21 të mundshme dhe ka krijuar epërsi prej gjashtë pikësh ndaj Real Madridit.

Përveç rezultateve, ajo që bie veçanërisht në sy është fuqia sulmuese e katalunasve.

Barcelona ka realizuar 31 gola në shtatë ndeshje, me një mesatare prej më shumë se katër golash për takim.

Asnjë skuadër e klubit nuk kishte shënuar kaq shumë gola në këtë fazë të kampionatit.

Rekordi i mëparshëm i Barcelonës në këtë aspekt ishte 29 gola, i arritur në sezonin 1950/51.

Skuadra e Flickut ka treguar forcën e saj ndaj disa kundërshtarëve, duke shënuar nga pesë gola kundër Elches, Rayo Vallecanos dhe Valencias, shtatë kundër Racing Santanderit, katër ndaj Levantes dhe tre kundër Sevillas.

Kjo ecuri ka rikthyer në vëmendje edhe rekordin e Real Madridit të drejtuar nga Jose Mourinho në sezonin 2011/12, kur madrilenët realizuan plot 121 gola në 38 ndeshje të La Ligës.

Barcelona duket se ka potencialin për ta sfiduar këtë shifër historike, nëse vazhdon me ritmin aktual.

Një tjetër objektiv i rëndësishëm është rekordi i fitoreve radhazi në shtëpi.

Nëse mposht Getafen, Barcelona do ta çonte në 23 numrin e fitoreve radhazi para tifozëve të saj, duke iu afruar rekordit prej 24 fitoreve, të vendosur nga Real Madridi në sezonet 1988/89 dhe 1989/90.

Për momentin, skuadra e Flickut po e shijon një formë të jashtëzakonshme, ndërsa Real Madridi duhet të gjejë mënyrën për t’iu përgjigjur rivalit të tij më të madh.

Barcelona nuk po lufton vetëm për titullin kampion, por edhe për të hyrë në histori me rekorde që mund ta bëjnë këtë sezon një prej më të veçantëve në historinë e klubit. /Zëri