Gjashtë të lënduar nga përmbytjet në Kili, mbi 1.000 persona evakuohen
Reshjet e dendura të shiut kanë goditur kryeqytetin e Kilit, Santiago, dhe zonat përreth, duke shkaktuar rrëshqitje dheu, përmbytje të banesave dhe rrugëve, si dhe duke lënduar të paktën gjashtë persona.
Për shkak të motit të rëndë, veturat u morën nga rrjedhat e ujit nëpër rrugë, ndërsa shumë banorë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Ekipet e shpëtimit kanë shpëtuar ose evakuuar më shumë se 1,000 persona.
Presidenti i Kilit, Jose Antonio Kast, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Las Condes, një zonë në lindje të Santiagos, duke u dhënë institucioneve më shumë kompetenca për t'iu përgjigjur situatës. Reshjet e rrëmbyeshme i shndërruan rrugët kryesore në rrjedha të pakalueshme uji.
Kryetarja e bashkisë së Las Condes, Catalina San Martín, tha se gjatë ditëve të fundit kishin rënë 14.4 centimetra shi, rreth nëntë herë më shumë se mesatarja e reshjeve për muajin tetor, duke e lënë zonën të përmbytur plotësisht, transmeton Telegrafi.
Lumi Mapocho, që kalon përmes Santiagos, doli nga shtrati, duke nxitur urdhra për evakuimin e banorëve në zonat e rrezikuara. Mes të lënduarve ishte edhe një fëmijë njëvjeçar, i cili pësoi fraktura. Autoritetet nuk raportuan viktima nga reshjet e së enjtes.
Agjencia kiliane për reagimin ndaj fatkeqësive ka vendosur edhe 10 distrikte të tjera në nivel të lartë alarmi për shkak të rrezikut nga rrëshqitjet e dheut dhe emergjencat e tjera të lidhura me reshjet. Për shkak të kushteve të motit, shkollat u urdhëruan të mbyllen të premten.
Stuhitë e ditëve të mëparshme kishin dëmtuar dhjetëra banesa në pjesën qendrore të Kilit dhe kishin lënë afro 12.000 konsumatorë në Santiago pa energji elektrike. Sipas parashikimeve, reshjet pritet të dobësohen të premten.
Përmbytjet po ndodhin në një kohë kur fenomeni klimatik El Niño po forcohet. Ngrohja natyrore e ujërave në pjesën tropikale të Oqeanit Paqësor ndikon në modelet e reshjeve në mbarë botën dhe shpesh sjell pranverë më të lagësht në hemisferën jugore.
Organizata Botërore Meteorologjike tha të enjten se El Niño i këtij viti pritet të arrijë kulmin në dhjetor dhe mund të jetë ndër më të fuqishmit që nga të paktën viti 1950.