"Yamal nuk do të ishte titullar te Barça në vitin 2012"
Cristian Tello, ish-futbollisti i Barcelonës, ka dhënë një vlerësim interesant për Lamine Yamal.
Sipas tij, pavarësisht talentit të jashtëzakonshëm, Yamal do ta kishte pasur shumë të vështirë të bëhej titullar te Barça e vitit 2012.
Tello u pyet nga “Sport” se si do të përshtatej Yamal në atë skuadër dhe u përgjigj:
“Titullar? Nuk mendoj. Do të ishte e vështirë për të. Besoj se do të arrinte nivelin që ka sot dhe atë që po tregon, por do ta kishte shumë të komplikuar.”
Ish-anësori i Barcelonës theksoi se konkurrenca në repartin ofensiv ishte e jashtëzakonshme, pasi aty ishin Lionel Messi, Pedro, David Villa, Alexis Sánchez dhe Neymar.
“Me këta lojtarë, është shumë e vështirë për çdo futbollist që vjen nga akademia të gjejë një vend në ekipin e parë”, tha Tello.
Sipas tij, sot talentet e moshave 16-18 vjeç e kanë më të lehtë të depërtojnë në ekipin e parë, ndërsa në atë periudhë konkurrenca nga futbollistët e konsoliduar ishte shumë më e madhe.
Tello gjithashtu e vlerësoi Barcelonën e Hansi Flick, duke thënë se skuadra ka shumë shpejtësi në krahë dhe se mund të bëjë “gjëra të mëdha” këtë sezon. /Zëri