Julián Álvarez ndahet nga menaxheri i tij historik pas verës së trazuar

Julián Álvarez ka marrë një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e tij: sulmuesi argjentinas e ka ndërprerë bashkëpunimin me agjentin e tij historik, Fernando Hidalgo.

Hidalgo e ka menaxhuar karrierën e “La Araña”-s për pothuajse një dekadë, por marrëdhënia mes tyre është dëmtuar pas verës së komplikuar, kur Álvarez kërkoi largimin nga Atlético Madrid dhe u lidh me një transferim te Barcelona.

Në qershor, gjatë Botërorit, Álvarez kishte deklaruar publikisht se një transferim do të ishte “më e mira për të gjithë”.

Barcelona insistoi për transferimin e tij, por Atlético Madrid nuk pranoi të negocionte dhe këmbënguli në klauzolën e lirimit prej 500 milionë eurosh.

Situata krijoi tension të madh mes lojtarit, klubit dhe tifozëve.

Drejtuesi i Atlético Madridit, Miguel Ángel Gil Marín, kishte kritikuar indirekt rrethin e lojtarit, duke deklaruar se kishte persona që “e kishin mashtruar dhe konfuzuar”.

Tani Álvarez ka vendosur të nisë një kapitull të ri.

Babai i tij, Gustavo Álvarez, po merret me zgjedhjen e menaxherit të ardhshëm, ndërsa në garë është edhe agjencia e drejtuar nga ish-futbollisti Javier Pastore.

Vendimi pritet të ndihmojë edhe në përmirësimin e marrëdhënies së sulmuesit me Atlético Madridin, ku ai ka kontratë deri në vitin 2030.

Klubi e ka mirëpritur pozitivisht ndarjen me Hidalgo, ndërsa Álvarez tani synon të lërë pas krahëve një verë shumë të komplikuar dhe të rikthehet në formën e tij më të mirë. /Zëri