Haaland i motivon tifozët: “Të dielën do të argëtoheni, ta shijojmë udhëtimin dhe të buzëqeshim”
Erling Haaland ka kërkuar unitet dhe pozitivitet te Manchester City në një moment të vështirë për klubin, pas vendimit të komisionit të pavarur për shkeljet financiare.
Në prag të transfertës së së dielës ndaj Liverpoolit në “Anfield”, sulmuesi norvegjez u dërgoi një mesazh të qartë tifozëve.
“Mendoj se tifozët që do të udhëtojnë do të kalojnë një kohë të mirë. Duhet të qëndrojmë të bashkuar, të jemi pranë njëri-tjetrit dhe të mbetemi pozitivë. Çfarëdo që të ndodhë në jetë, duhet të buzëqeshim gjithmonë”, deklaroi Haaland.
“Duhet të shohim përpara, të përpiqemi të fitojmë ndeshjet dhe ta shijojmë këtë situatë. Duhet të qëndrojmë së bashku dhe t’i transmetojmë dashuri njëri-tjetrit. Ta shijojmë udhëtimin dhe të buzëqeshim”, shtoi ai.
Haaland theksoi edhe lidhjen e tij me klubin dhe tifozët: “Më intereson shumë ky vend. Më interesojnë shumë tifozët, sepse edhe unë jam një tifoz dhe ndihem njësoj si ata.”
City shkon në “Anfield” pas një starti perfekt në Premier League, me pesë fitore në pesë ndeshjet e para.
Për Haalandin, përballja me Liverpoolin është gjithmonë speciale.
“Kam fituar atje, kam barazuar dhe kam humbur. Çdo ndeshje ndaj Liverpoolit është gjithmonë speciale”, tha norvegjezi. /Zëri