Dita e Anesteziologëve: Sivjet më mirë, por ende mungesë stafi

Numri i anesteziologëve në sistemin publik shëndetësor në Kosovë është rritur gjatë këtij viti, por ende nuk ka arritur nivelin që ishte para pandemisë COVID-19.

Kështu u tha në konferencën vjetore të organizuar nga Shoqata e Anesteziologëve të Kosovës, në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Anesteziologjisë.

Sipas anesteziologëve, gjatë këtij viti janë punësuar 21 specialistë të rinj. Megjithatë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës aktualisht janë 55 anesteziologë, ndërsa para pandemisë ky numër ishte 67.

Kryetarja e Shoqatës së Anesteziologëve të Kosovës, Agreta Gecaj-Gashi, ka theksuar rëndësinë e profesionit të tyre.

Në konferencë u tha se anesteziologjia në Kosovë është afër standardeve evropiane sa i përket trajnimeve dhe edukimit profesional të stafit.

I pranishëm ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili tha se anesteziologët në sektorin publik kanë pasur ngarkesë të madhe ndër vite.

Nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës u tha se do të vazhdojë mbështetja për këtë fushë.

Përveç angazhimit në sallat operative, anesteziologët janë përgjegjës edhe për mjekimin intensiv, si njësia referente në nivel vendi për trajtimin e rasteve më të rënda./klankosova