Rreth 400 punëtorë të NPB-së pa paga, paralajmërohet protestë para Supremës

Në Prishtinë, punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore kanë mbetur pa paga për gati tre muaj, për shkak të bllokimit të llogarisë së ndërmarrjes në kuadër të procedurës përmbarimore që lidhet me një kontest gjyqësor. Si pasojë e këtij bllokimi, nuk ka qenë e mundur ekzekutimi i pagave për muajt gusht dhe shtator. Sipas NPB-së, ndërmarrja do të vazhdojë t’i përdorë të gjitha mjetet juridike dhe institucionale në dispozicion për mbrojtjen e interesit publik dhe pasurisë publike, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit.Rreth 400 punëtorë të Ndërmarrjes Publike Banesore të Prishtinës kanë mbetur pa paga. Kjo për shkak të bllokimit të llogarisë së ndërmarrjes në kuadër të procedurës përmbarimore që lidhet me një kontest gjyqësor për projektin në Lakrishtë.

Kryetari i Këshillit Organizativ të Punëtorëve të NPB-së, Valdet Sylejmani, tha se gjendja e punëtorëve është rënduar, ndërsa paralajmëroi edhe protestë të hënën para Gjykatës Supreme.

“Ne jemi në një krizë shumë të madhe, shkak që nuk kemi pagat për t’i paguar shpenzimet që kemi. Kemi kredi, kemi faturat e rrymës, ato nuk presin 2-3 muaj. Kemi kopshte që duhet paguar, fëmijët që janë në shkolla private, do të thotë që nuk mundemi me i mbulu”, tha Valdet Sylejmani, Kryetar i Këshillit Organizativ të Punëtorëve të NPB-së.

Ai theksoi se, pavarësisht situatës, shërbimet e NPB-së për qytetarët e Prishtinës vazhdojnë normalisht.

Sipas NPB-së, mjetet janë të bllokuara, bazuar në një kontratë të lidhur më 17 maj 2021 nga administrata e kaluar. Ndërmarrja thotë se e ka kundërshtuar këtë çështje në të gjitha instancat, si dhe ka dërguar shkresë me urgjencë në Supreme, në mënyrë që punëtorët të mos mbesin pa paga.

Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vizituar sot ndërmarrjen, ku është takuar me menaxhmentin për të shprehur shqetësimin lidhur me gjendjen e pagave të punëtorëve. Sipas Ramës, kjo situatë është pasojë e një vendimi të marrë para fillimit të mandatit të tij, duke e cilësuar atë të paligjshëm.

Rama ka kërkuar nga Gjykata Supreme që me prioritet ta shqyrtojë rastin.

Por, kryesuesi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, i ka reaguar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me situatën në Ndërmarrjen Publike Banesore dhe kërkesën e tij drejtuar Gjykatës Supreme për shqyrtimin me prioritet të rastit.

Sveçla ka fajësuar kryetarin Rama, për të cilin thotë se, përmes heshtjes dhe mosveprimit të tij, mban përgjegjësi për gjendjen e krijuar në NPB. Ai tha se Rama duhet të tregojë se pse përfaqësuesi ligjor i Komunës nuk ka marrë pjesë në seancën e shqyrtimit kryesor në shkallë të parë./rtk