Akanji: “I besoj Man Cityt, shpresoj të mos i humb titujt”
Manuel Akanji ka folur për situatën e Manchester City dhe hetimet që lidhen me shkeljet financiare të klubit anglez.
Mbrojtësi zviceran, i cili tani luan për Interin në Itali, tha se vazhdon të ketë kontakte me ish-shokët e skuadrës, por nuk di më shumë se çfarë është bërë publike.
“Ende flas me disa nga ish-shokët e mi të skuadrës, por nuk di më shumë se ju. Na kanë thënë të jemi të qetë, se gjithçka është nën kontroll dhe se nuk ka ndodhur asgjë serioze. I besoj njerëzve që drejtojnë Manchester Cityn dhe besoj se kjo është e vërtetë”, deklaroi Akanji.
Më pas, zvicerani pranoi se shqetësohet për trofetë që ka fituar me Cityn.
“Shpresoj të mos i humb titujt e mi. Do të ishte keq. Gjithsesi, edhe unë gjithçka e shoh dhe e dëgjoj vetëm në lajme”, u shpreh ai.
Akanji më pas reagoi me nervozizëm kur u pyet edhe për rastet e Granit Xhakës dhe Breel Embolos, të cilët janë akuzuar për çështje që lidhen me certifikatat e COVID-19.
“E kush e di se çfarë tjetër mund të zbulojnë? Ju ende po kërkoni gjëra që kanë ndodhur me COVID-in pesë vite më parë”, tha mbrojtësi zviceran. /Zëri