Ministria e Arsimit demanton raportimet e disa mediave për bastisje
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka demantuar raportimet se sot janë kryer bastisje në ambientet e kësaj ministrie.
Në një reagim, MASH-i ka bërë të ditur se ka marrë konfirmim zyrtar nga Policia e Kosovës se informacioni për bastisje është i pavërtetë.
“MASH-i sqaron se ka marrë konfirmim zyrtar nga Policia e Kosovës se ky informacion është i pavërtetë dhe se në ambientet e saj nuk ka pasur bastisje”, thuhet në reagim.
Ministria u ka kërkuar mediave që e kanë publikuar ose ripublikuar lajmin, ta tërheqin atë dhe ta publikojnë demantimin me të njëjtën dukshmëri.
MASH-i ka theksuar se puna në institucion po zhvillohet normalisht dhe se përgjegjësitë dhe detyrat institucionale po realizohen sipas planifikimeve të përcaktuara. /Zëri