Rubio: SHBA-ja kërkon një Evropë të fortë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të enjten se Uashingtoni dëshiron aleatë të fortë në Evropë, ndërsa po nisej drejt Portugalisë për etapën e fundit të një vizite katërditore në Evropë.

“Ne duam që aleatët tanë të jenë të fortë. Sa më të fortë të jenë ata, aq më të fortë jemi ne kolektivisht… Ne duam një Evropë të fortë. Duam partnerë të fortë në Evropë”, u tha Rubio gazetarëve në aeroportin e Athinës.

“Sa më të fortë të jenë anëtarët individualë të (NATO-s) – qoftë në aspektin shoqëror, ekonomik apo ushtarak – aq më e fortë është NATO-ja”, ka thënë më tej ai, shkruajnë mediat e huaja.

Rubio qëndroi në Greqi të mërkurën për bisedime mbi çështjet e energjisë, mbrojtjes dhe kulturës, si dhe njoftoi një marrëveshje të përbashkët për shkëmbimin e informacionit lidhur me trafikun e drogës dhe terrorizmin.

Në një fjalim, pas bisedimeve me zyrtarët grekë, Sekretari amerikan i Shtetit theksoi fuqinë amerikane dhe i bëri thirrje Evropës të zgjohet nga “gjumë i saj i gjatë”.

Ai paralajmëroi se qytetërimi perëndimor ndodhet tani “në një udhëkryq” midis “fuqisë kombëtare” dhe rënies.

Rubio e nisi vizitën e tij në Evropë vonë të hënën në Islandë, për të nxitur një ndikim më të madh të SHBA-së në Arktik, pasi Uashingtoni kishte arritur një marrëveshje për Grenlandën.

Të martën, ai tha se Islanda kishte shërbyer prej kohësh si “një pikë kyçe vëzhgimi për të monitoruar veprimtaritë e fshehta dhe për të penguar kundërshtarët tanë”.

Administrata e Donald Trumpit ka kohë që u bën presion anëtarëve të NATO-s që të rrisin shpenzimet për mbrojtjen dhe të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre.

Në një samit në Hagë, në muajin qershor, anëtarët e aleancës u zotuan të investojnë 5 për qind të PBB-së çdo vit për mbrojtjen deri në vitin 2035.

“Ka shumë vende që kanë ndërmarrë hapa konkretë. Sinqerisht, edhe gjermanët po angazhohen dhe po bëjnë pjesën e tyre për t’u bërë më të fortë”, tha Rubio të enjten.

“Mendoj se ka shenja pozitive në shumë vende të ndryshme ku po ndodh kjo gjë. Dhe natyrisht, ka vende që po hezitojnë, dhe e di që ato përballen me presion të madh të brendshëm. Por mendoj se kjo është në të mirën e të gjithëve”, nënvizoi Rubio.