Protestë në Tiranë para Kuvendit, Policia ndryshon planin e masave të sigurisë

Në seancën e sotme plenare pritet të diskutohet projektligji për reformën territoriale, i propozuar nga Partia Socialiste, që parashikon reduktimin e numrit të bashkive në vend nga 61 në 46.

Seanca pritet të shoqërohet me tensione, pasi opozita, e cila e ka kundërshtuar vazhdimisht hartën e re territoriale, ka paralajmëruar protesta brenda dhe jashtë ambienteve të Kuvendit.

Për shkak të protestave të paralajmëruara, Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara sigurie, por këtë herë me një strategji tjetër të masave.

Mësohet se nuk është bllokuar rruga përpara Parlamentit dhe mbetet e lirë për të kaluar për qytetarët. Forca të shumta të rendit janë vendosur përgjatë zonës nga Xhamia e Namazgjasë, përgjatë Rrugës së Elbasanit, deri te Ministria e Brendshme.

Ndërkohë, bashkitë e drejtuara nga opozita i kanë dërguar një letër Komisionit Evropian, përmes së cilës kërkojnë që të mos lejohet miratimi i njëanshëm i Reformës Territoriale.