Presidenti i Federatës portugeze beson në pajtimin me Ronaldon: Duam ta rregullojmë situatën

Presidenti i Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proença, beson se Cristiano Ronaldo mund të rikthehet në kombëtare dhe se përplasja me trajnerin Jorge Jesus mund të zgjidhet.

Proença ka bërë të ditur se Federata dëshiron të ndërmjetësojë për të rikthyer qetësinë mes kapitenit dhe trajnerit, pas situatës së krijuar në grumbullimin e fundit.

Ronaldo u largua nga grumbullimi pasi mbeti i pakënaqur me mënyrën se si u menaxhua situata e tij nga Jesusi. 

Presidenti i FPF-së ka theksuar se Ronaldo mbetet një pjesë e rëndësishme e historisë së futbollit portugez dhe se dyert e kombëtares janë të hapura për të.

“Prania e tij në kombëtare është plotësisht e merituar. Cristiano do të jetë gjithmonë pjesë e këtij grupi për sa kohë të jetë në formë dhe në dispozicion. Ajo që ndodhi mes tij dhe Jorge Jesus ishte një keqkuptim që duhet zgjidhur brenda familjes së kombëtares”, është shprehur Proença. 

Ai ka shtuar se Ronaldo mund ta kishte mbyllur karrierën me Portugalinë pas Botërorit, por zgjodhi të vazhdojë për shkak të dashurisë për kombëtaren.

“Cristiano është pjesë e trashëgimisë sonë historike dhe do të jetë gjithmonë i mirëpritur sa herë që trajneri i kombëtares ta konsiderojë të nevojshëm”, ka përfunduar presidenti i Federatës portugeze. /Zëri