Ngujimi i minatorëve, kërkohen veprime urgjente dhe hetim për gjendjen e krijuar në Trepçë
Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut (IHDNj) ka reaguar për ngujimin e mbi 60 minatorëve në minierën e Stantërgut, duke shprehur shqetësim të thellë dhe duke kërkuar reagim të menjëhershëm.
Sipas informacioneve nga terreni, thuhet në reagimin e këtij instituti, minatorët ndodhen nën tokë, të shpërndarë në horizontet 11, 10, 9 dhe 8 dhe se dalja e tyre po realizohet përmes rrugëve emergjente, ndërsa ekipet përkatëse po punojnë për të mundësuar nxjerrjen e sigurt të të gjithë punëtorëve.
“Është e domosdoshme të sqarohen plotësisht rrethanat e rastit, shkaqet e incidentit dhe nëse të gjithë mekanizmat, pajisjet dhe procedurat e sigurisë kanë funksionuar siç duhet.”, thuhet në reagim.
Sipas këtij instutiti, Prokuroria duhet të nisë hetime të plota, të pavarura dhe të paanshme për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti.
“Hetimi duhet të përcaktojë nëse ka pasur shkelje të rregullave të sigurisë në punë, neglizhencë institucionale, mosfunksionim të pajisjeve apo përgjegjësi të tjera individuale dhe institucionale. Përgjegjësit, nëse konstatohen, duhet të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit.”, thuhet në reagim.
Kjo situate, sipas këtij institute, rikthen edhe një herë në vëmendje rrezikun e jashtëzakonshëm me të cilin përballen minatorët gjatë punës së tyre, qindra metra nën tokë.
“IHDNj i ka ngritur këto shqetësime edhe më herët përmes hulumtimit “Punëtorët e padukshëm të Nëntokës”, në të cilin janë dokumentuar kushtet e vështira të punës, ekspozimi ndaj rreziqeve profesionale, si dhe problemet që lidhen me shëndetin dhe sigurinë në punë të minatorëve. Gjetjet e këtij hulumtimi kanë treguar se minatorët përballen çdo ditë me ekspozim ndaj pluhurit, gazrave, ngarkesave të rënda fizike dhe rreziqeve të tjera që mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta për shëndetin dhe jetën e tyre. Fakti që dhjetëra punëtorë ndodhen në horizontet 11, 10, 9 dhe 8, deri në rreth 645 metra nën tokë, është një tjetër alarm se siguria e minatorëve nuk mund të bëhet temë vetëm kur ndodh një incident. Ajo duhet të garantohet çdo ditë, në çdo ndërrim dhe në çdo metër nën tokë.”, thuhet tutje.
Aty thuhet se siguria e minatorëve kërkon përgjegjësi konkrete, transparencë të plotë dhe masa të menjëhershme për parandalimin e rasteve të ngjashme.
IHDNj kërkon që, pas përfundimit të operacionit të shpëtimit, të bëhet një vlerësim i plotë i gjendjes së minierës, pajisjeve, infrastrukturës, rrugëve emergjente dhe procedurave të sigurisë.