Messi ia jep lamtumirën Argjentinës, Ronaldo e surprizon me një mesazh: Respekt për ato që ke arritur, të përqafoj

Lionel Messi i ka dhënë lamtumirën përfundimtare kombëtares së Argjentinës, duke mbyllur një kapitull më shumë se dy dekada të gjatë me fanellën “Albiceleste”.

Pas ndeshjes së fundit, të fituar 3-0 ndaj Beninit, ylli argjentinas publikoi një mesazh të gjatë dhe emocional për tifozët.

Messi pranoi se vendimi për t’u larguar nga kombëtarja nuk ishte i lehtë, ndërsa kujtoi momentet më të bukura dhe periudhat e vështira që ka kaluar gjatë karrierës së tij me Argjentinën.

“Dje ishte ndeshja ime e fundit dhe tashmë më mungon fanella bardheblu. E di që po marr vendimin e duhur. Ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm, me shumë gëzime, por edhe me disa momente të vështira”, ishte mesazhi i Messit.

Kapiteni i Argjentinës falënderoi familjen, shokët e skuadrës, trajnerët dhe të gjithë ata që e kanë shoqëruar gjatë këtij rrugëtimi.

Një pjesë të veçantë të mesazhit ia kushtoi edhe legjendës Diego Maradona.

Messi theksoi se nuk dëshironte të harronte Maradonën, për të cilin tha se e ka ndihmuar Argjentinën në çdo hap, “qoftë kur ishte këtu me ne, qoftë nga qielli”.

Mesazhi i Messit nuk kaloi pa u vënë re nga rivali i tij i madh i epokës moderne të futbollit, Cristiano Ronaldo.

Portugezi reagoi në komentet e postimit të Messit, duke i dërguar një mesazh të shkurtër, por domethënës.

“Leo, vite të gjata duke mbrojtur vendin tënd dhe një histori që do të mbetet përgjithmonë. Gjithë respekti im për atë që ke arritur me Argjentinën. Një përqafim”, shkroi Ronaldo.

Mesazhi i CR7 vjen në një moment kur marrëdhënia mes dy ikonave të futbollit vazhdon të shihet me interes të madh.

Për vite me radhë, Messi dhe Ronaldo kanë qenë rivalët kryesorë për fronin e futbollit botëror, por konkurrenca mes tyre nuk është shndërruar në armiqësi.

Përkundrazi, me kalimin e viteve të dy kanë shprehur respekt për njëri-tjetrin.

Messi e mbyll aventurën me kombëtaren si një prej futbollistëve më të rëndësishëm në historinë e Argjentinës.

Me fanellën “Albiceleste”, ai fitoi Kupën e Botës në vitin 2022 dhe Kupën e Amerikës, duke realizuar ëndrrën që për shumë vite i kishte munguar karrierës së tij.

Ai largohet gjithashtu si golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares argjentinase, pas më shumë se 200 paraqitjesh ndërkombëtare.

Ronaldo, ndërkohë, nuk duket se ka ndërmend të ndjekë të njëjtën rrugë.

Pavarësisht problemeve të fundit me kombëtaren portugeze dhe trajnerin Jorge Jesus, ylli portugez ka deklaruar se nuk planifikon të tërhiqet nga futbolli ndërkombëtar.