Shakira e Pique përballen në gjykatë për kujdestarinë e dy djemve
Shakira dhe Gerard Piqué janë përballur sërish në gjykatë, këtë herë për mënyrën se si ish-futbollisti do të takojë dy djemtë e tyre, Milan dhe Sasha.
Këngëtarja kolumbiane dhe ish-futbollisti spanjoll u paraqitën të martën në Gjykatën e Barcelonës, ku po rishikohet marrëveshja e arritur pas ndarjes së tyre në vitin 2022.
Në qendër të përplasjes nuk është koha që Piqué kalon me fëmijët, por udhëtimet e tyre mes Miamit dhe Barcelonës.
Milan, 13 vjeç, dhe Sasha, 11 vjeç, jetojnë me Shakirën në Miami që prej prillit të vitit 2023.
Këngëtarja ka sqaruar se nuk po kërkon të kufizojë kontaktin e djemve me babain e tyre. Ajo kërkon që barra e udhëtimeve të ndahet mes dy prindërve.
Sipas propozimit të saj, gjatë periudhave të shkurtra të pushimeve, Piqué duhet të udhëtojë drejt Miamit. Në këtë mënyrë, djemtë do të shmangnin udhëtimet transatlantike vetëm për disa ditë, si dhe lodhjen nga ndryshimi i orarit.
Shakira argumenton se më pak udhëtime të tilla do t’i ndihmonin Milanit dhe Sashës të ruanin rutinën shkollore, jetën sociale dhe lidhjet familjare.
Ajo thotë se kjo do të ishte në interes të “mirëqenies së tyre emocionale, fizike dhe akademike”.
Këngëtarja ka kërkuar gjithashtu që privatësia e dy djemve të respektohet.
Shakira mbërriti në Barcelonë gjatë një periudhe pushimi nga koncertet e saj në Madrid. Në seancë ishte i pranishëm edhe Piqué.
Avokati i tij, Ramón Tamborero, ka thënë se palët kishin vazhduar negociatat deri në momentet e fundit. Sipas raportimeve, edhe gjyqtarja dhe prokuroria kishin ndërhyrë në përpjekje për të gjetur një marrëveshje dhe për të shmangur përballjen në gjykatë.
Nga dashuria te ndarja
Historia e Shakirës dhe Piqués nisi pak para Botërorit të vitit 2010 në Afrikën e Jugut.
Këngëtarja performoi “Waka Waka” në ceremoninë e mbylljes së turneut, ndërsa Piqué ishte pjesë e kombëtares spanjolle që u shpall kampione e botës.
Lidhja e tyre u bë publike dhe në janar të vitit 2013 çifti u bë prindër për herë të parë, me lindjen e Milanit. Dy vite më vonë erdhi në jetë Sasha.
Të dy djemtë kanë lindur në Barcelonë.
Pas më shumë se 12 vitesh së bashku, Shakira dhe Piqué njoftuan ndarjen në qershor të vitit 2022.
Në nëntor të po atij viti, ata arritën një marrëveshje për kujdesin ndaj fëmijëve. Sipas saj, djemtë do të jetonin me Shakirën, ndërsa Piqué do të kishte të drejtë t’i takonte dhe të kalonte kohë me ta.
Në prill të vitit 2023, Shakira u largua përfundimisht nga Barcelona së bashku me dy djemtë dhe u vendos në Miami. Në atë kohë, ajo tha se synonte t’u ofronte atyre një fillim të ri, pranë familjes, miqve dhe detit.
Tani, më shumë se tre vite pas largimit të tyre, marrëveshja për takimet e Piqués me djemtë është rikthyer në gjykatë.
Dhe këtë herë, në qendër të debatit janë kilometrat mes Miamit dhe Barcelonës.