Julián Álvarez mund të largohet nga Atlético në janar, Arsenal rikthehet fuqishëm në garë

Julián Álvarez mund të largohet nga Atlético Madridi që në afatin kalimtar të janarit, ndërsa Arsenali është rikthyer fuqishëm në garë për sulmuesin argjentinas.

Sipas raportimeve të fundit, Álvarez është gjithnjë e më i vendosur për t’u larguar nga skuadra madrilene.

Situata mund t’i japë Arsenalit një mundësi të re për të siguruar shërbimet e 26-vjeçarit, të cilin londinezët e kishin ndjekur me shumë interes edhe gjatë merkatos së verës.

Gjatë verës, prioriteti i Álvarez ishte Barcelona. Argjentinasi dëshironte të transferohej në Camp Nou, por Atlético Madridi nuk ishte i gatshëm ta lejonte një lëvizje të tillë.

Për këtë arsye, mundësia e transferimit në Arsenal mbeti në plan të dytë.

Tashmë situata mund të ketë ndryshuar. Sipas TEAMtalk, Álvarez është i vendosur të kërkojë largimin nga Atlético në janar dhe këtë herë do të ishte më i hapur ndaj mundësisë për t’u transferuar te Arsenali.

Arsenali, nga ana tjetër, nuk e ka humbur interesimin për sulmuesin dhe mund të rikthehet konkretisht në garë nëse krijohen kushtet për një marrëveshje.

Mikel Arteta kërkon të përforcojë repartin ofensiv me një lojtar të nivelit të lartë dhe Álvarez shihet si një profil ideal.

Gjatë verës, Arsenali ishte i gatshëm të investonte rreth 120 milionë euro për argjentinasin, ndërsa tani mund të shqyrtojë edhe përfshirjen e lojtarëve në marrëveshje për të ulur koston e transferimit.

E ardhmja e Viktor Gyökeres gjithashtu mund të ndikojë në strategjinë e Arsenalit, pasi sulmuesi suedez ka humbur terren në hierarkinë e Artetës.

Në këtë situatë, Álvarez mund të bëhet objektivi kryesor i klubit londinez për janarin.

Pas një vere të mbushur me spekulime, saga e Julián Álvarez mund të rihapet në merkaton e dimrit – këtë herë me Arsenalin që shpreson ta bindë argjentinasin për të kaluar në Premier League. /Zëri