Gruda: Ligji për Specialen, triumf i përpjekjes institucionale dhe shtetërore
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që votuan projektligjin e sponsorizuar nga PDK-ja për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Gruda ka falënderuar edhe qytetarët e Kosovës për protestat dhe angazhimin e tyre për miratimin e këtij ligji.
“Mbrëmë në Kuvendin e Kosovës, por edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, ishte një natë e gjatë me shumë zhvillime politike, por unë jam këtu sot në emër të Partisë Demokratike të Kosovës për të falënderuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që kanë votuar projektligjin e sponsorizuar nga Partia Demokratike e Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Po ashtu, më lejoni që në emër të PDK-së t’i falënderoj nga zemra të gjithë qytetarët e Kosovës dhe t’ju shpreh mirënjohjen tonë të pakufishme për protestën, për sakrificën dhe vendosmërinë si një komb i lirë për të mbrojtur luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për të kërkuar miratimin e këtij ligji”, tha Gruda.
Sipas Grudës, miratimi i ligjit nuk duhet të shihet si triumf i ndonjë partie politike, por si rezultat i një përpjekjeje institucionale.
“Ky ligj nuk përbën asnjë triumf politik të kërkujt, ky ligj përbën triumfin e një përpjekjeje institucionale dhe shtetërore të drejtuar nga PDK-ja për të vendosur Gjykatën Speciale brenda standardeve kushtetuese për të cilat edhe është themeluar. Ky ligj, pra projektligji i miratuar dje, që tashmë është ligj, ka për synim që të kufizojë juridiksionin e Gjykatës Speciale dhe të garantojë gjykim të drejtë të bazuar në standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila është e detyrueshme për këtë gjykatë”, tha ai.
Deputeti i PDK-së ka deklaruar se ky ligj nuk cenon detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe se institucionet e vendit mbeten të përkushtuara ndaj obligimeve që kanë marrë.
“Po ashtu, më lejoni të theksoj se jemi të bindur që ligji tashmë nuk e shkel asnjë detyrim ndërkombëtar që Kosova ka marrë dhe jemi po aq të hapur për autoritetet ndërkombëtare për të thënë që Kosova i rri besnik detyrimeve që ka marrë për të hetuar pretendimet për trafik të organeve dhe Gjykata Speciale nuk do të mbyllet dhe asnjë detyrim ndërkombëtar nuk do të shkëputet. Ne e mirëpresim po ashtu deklaratën e presidentes së Komisionit Evropian, zonjës Von der Leyen, e cila tha që Kosova ka të drejtën e saj të ndryshojë ligjin dhe ky ka qenë një udhërrëfyes për ne për ta draftuar dhe për ta miratuar këtë ligj”, tha Gruda.
Në deklaratën e tij, Gruda ka folur edhe për zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës presidente të Kosovës, duke i uruar asaj sukses në ushtrimin e detyrës së re.
“Po ashtu, më lejoni që të uroj të gjithë qytetarët e Kosovës për zgjedhjen e presidentes së re të Republikës së Kosovës, profesoreshës së nderuar, zonjës Justina Shiroka-Pula. Profesoreshës së nderuar të Universitetit të Prishtinës dhe kryetares së deritanishme të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i uroj në emër të Partisë Demokratike të Kosovës sukses në punën e saj si presidente, në respektimin e Kushtetutës së Kosovës, në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe në garantimin e funksionimit demokratik dhe kushtetues të institucioneve, dhe veçanërisht në ushtrimin e rolit të saj si përfaqësuese e unitetit juridiko-kushtetues, siç është definuar qartësisht në Kushtetutën e Kosovës”, tha Gruda.
Gruda ka thënë se me zgjedhjen e presidentes së re, Kosova ka hyrë në një fazë të re politike, me një balancë më të madhe kushtetuese dhe politike.