I dyshuari për spiunazh Hysri Selimi në Apel thotë se ka bashkëpunuar me AKI-në, jo me BIA-n

Në Gjykatën e Apelit të mërkurën u elaboruan ankesat e palëve ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Hysri Selimi ishte dënuar me 6 vjet burgim për spiunazh. Prokuroria kërkoi ashpërsim të dënimit, ndërkaq vetë Selimi tha se është i pafajshëm.

“Jam plotësisht i pafajshëm dhe kërkoj vendim të drejtë, të zbardhet e vërteta. Asgjë s’kërkoj, vetëm të zbardhet e vërteta. Unë dëshmoj edhe e kam dëshmu, e kam thënë gjithmonë të vërtetën se kam punu për shtetin tem, për institucionin tem- për AKI-në, me vullnet e dëshirë. Pa interes”, tha Selimi.

Sipas tij, çdo gjë që ka bërë, e ka bërë në koordinim me AKI-në, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 15 qershor 2026 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Selimit, duke e dënuar me 6 vjet burgim për spiunazh.

Ndaj vendimit të Themelores, në seancën e Apelit u bë e ditur se ankesë ka parashtruar Prokuroria Speciale, duke kërkuar ashpërsim të dënimit dhe mbrojtja, e cila kërkon rigjykim ose lirim nga akuza.

Ndërkaq, Prokuroria e Apelit me parashtresë ka propozuar që të aprovohet ankesa e PSRK-së.

Prokurorja e Apelit, Sebahate Hoxha-Pepaj tha se Selimit duhet t’i shqiptohet dënim më i ashpër, për arsye se ndër të tjera, vepra penale është kryer në vazhdimësi dhe është dëmtuar rëndë shteti.

Në anën tjetër, mbrojtësi i Selimit- avokati Ali Beka tha se Selimi vazhdimisht insiston se ka bashkëpunuar me AKI-në, për çka edhe kanë propozuar dëshmitarë.

Kolegji i Apelit që po shqyrton këtë lëndë përbëhet nga Albina Shabani-Rama - kryetare, Kreshnik Radoniqi - gjyqtar referues dhe Avni Mehmeti - anëtar.

Në seancën fillestare më 23 shtator 2025 Selimi ishte deklaruar i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë të ngritur më 9 shtator 2025, Hysri Selimi ngarkohej se nga muaji nëntor 2009 e deri në arrestimin e tij më 6 maj 2025, si i rekrutuar nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (që njihet si BIA), në vazhdimësi ka ndihmuar punën e këtij shërbimi në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informatave që kanë të bëjnë me veprimtarinë e pjesëtarëve të UÇK-së, vrasjet gjatë luftës, personat e radikalizuar dhe numrin e pjesëmarrjes së tyre në luftën në Siri.

Aktakuza thotë se i akuzuari, sipas kërkesave dhe udhëzimeve të zyrtarëve të BIA-s (të cilin paraprakisht e kishin pajisur me telefona të mençur dhe me mjete financiare, duke i premtuar edhe blerjen e një shtëpie) më 22 nëntor 2015 kishte udhëtuar në Siri, përmes aeroportit të Stambollit, me mision të caktuar nga BIA.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Selimi fillimisht iu bashkua organizatës terroriste ISIS, pastaj dërgoi informacione tek zyrtarët e BIA-s në lidhje me numrin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në ISIS, organizimin e tyre dhe në cilat pjesë të Sirisë operonin ata.

Ndërsa, aktakuza thotë se pas kthimit në Kosovë nga Siria dhe vuajtjes së burgut për pjesëmarrje në organizata terroriste, Selimi kishte vazhduar të takohej me zyrtarë të BIA-s, më konkretisht me drejtorin për luftimin e terrorizmit në kuadër të BIA-s dhe një zyrtar tjetër në Serbi, si në Vranje, Nish e Bujanoc, të cilët i informonte në bazë të detyrave që ia kishin caktuar paraprakisht, e që kishin të bënin me informacionet lidhur me persona të radikalizuar dhe zhvillimin e rrymave vehabiste në Kosovë, ndikimin e tyre, numrin dhe funksionimin e “Mesxhide-ve” (hapësira fetare ku kryhen ritet fetare), si dhe informata tjera të rëndësishme.

Në aktakuzë thuhet se si shpërblim për këto informacione, zyrtarët e BIA-s e paguanin Selimin deri në 700 euro në muaj, duke i ofruar edhe telefona të mençur për të komunikuar me zyrtarët e BIA-s.

Përmes këtyre veprime, sipas Prokurorisë, Selimi seriozisht ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, duke ndihmuar po ashtu BIA-n serbe të krijojë një narrativë të dëmshme për shtetësinë e Kosovës.

Prandaj, për këto veprime, Hysri Selimi ngarkohej për veprën penale “Spiunazhi” nga Neni 124, paragrafi 3 lidhur me Nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.