Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj Trajkoviqit, i akuzuar për krime lufte në Reznik të Vushtrrisë

Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke e kthyer në rigjykim rastin ndaj Sllagjan Trajkoviqit, i akuzuar për krime lufte në Kosovës.

“APROVOHEN si të bazuara ankesat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, mbrojtësit të të pandehurit, avokatit Bogdan Laziq, si dhe ankesa e të pandehurit Sllagjan Trajkoviq, dhe sipas detyrës zyrtare, ANULOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS. nr. 32/2023, i datës 26.02.2026, dhe lënda i kthehet Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamentit Special, në rigjykim dhe rivendosje”, thuhet në vendim.

Gjykata Themelore në Prishtinë me aktgjykimin e 26 dhjetorit 2025 Trajkoviqin e kishte dënuar me 10 vjet burgim.

Sipas aktgjykimit të 3 shtatorit 2026, ndaj vendimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar Prokuroria Speciale për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabueshëm ose jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së Ligjit Penal.

PSRK-ja kishte propozuar që të ndryshohet aktgjykimi i Themelores që Trajkoviqi të shpallet fajtor edhe për pikat (a,b,d) të aktakuzës.

Ankesë kishte parashtruar edhe mbrojtësi i Trajkoviqit, avokati Bogdan Laziq, për shkak të zbatimit të gabuar të dispozitave të procedurës penale, zbatimit të gabuar të Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe vendimit mbi dënimin.

Laziqi kishte propozuar që Apeli ta ndryshojë aktgjykimin e Themelores dhe që Trajkoviqin ta lirojë nga përgjegjësia, t’ia zvogëlojë dënimin e shqiptuar, ta anulojë aktgjykimin e Themelores dhe lëndën t’ia kthejë në rivendosje, si dhe që i akuzuari dhe mbrojtësi të njoftohen-thirren në seancën e kolegjit të Gjykatës së Apelit.

Kurse, vetë Trajkoviqi parashtroi ankesë për shkak të shkeljes thelbësore të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së drejtës penale – Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe vendimit për sanksionin penal. Kishte propozuar që të lirohet nga akuza për krime lufte ose që rasti të kthehet në rigjykim. Dhe që me vendim të veçantë t’i ndërpritet paraburgimi.

Në anën tjetër, Prokuroria e Apelit me parashtresa kishte propozuar të aprovohet ankesa e PSRK-së, dhe të refuzohen ankesat e Trajkoviqit dhe mbrojtësit të tij.

Gjetjet e Apelit:

Gjykata e Apelit ka konstatuar se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, pasi që nuk e ka hartuar aktgjykimin në pajtim me Kodin e Procedurës Penale, dhe me vërtetim jo të plotë të gjendjes faktike, shkelje të cilat nuk mund të evitohen në Apel pa u zhvilluar një shqyrtim i ri gjyqësor.

Kolegji i Apelit vlerëson se aktgjykimi i ankimuar nuk paraqet një tërësi të qartë dhe të rrjedhshme ndërmjet dispozitivit, gjendjes faktike të vërtetuar, provave të administruara dhe arsyetimit të dhënë për përfundimet e nxjerra.

“Në këtë drejtim, arsyetimi i aktgjykimit të ankimuar nuk pasqyron në mënyrë të qartë dhe të mjaftueshme lidhjen ndërmjet provave të administruara, fakteve të konstatuara si të provuara dhe përfundimeve të nxjerra nga gjykata, për çështjet vendimtare të kësaj çështjeje penale”, thuhet në vendim.

Sipas Apelit, formulimi i dispozitivit të aktgjykimit, nuk përputhet qartë me përfundimet e gjykatës së shkallës së parë të dhëna në arsyetimin e aktgjykimit, nga i cili rezulton se për veprimet e përshkruara në pikat A, B dhe D të aktakuzës nuk është provuar përfshirja e të pandehurit.

Andaj, Apeli konstaton se ekziston mospërputhje thelbësore ndërmjet bazës faktike të përshkruar në dispozitiv dhe fakteve që gjykata i ka konsideruar të provuara në arsyetimin e aktgjykimit.

“Përkatësisht, ndërsa në dispozitiv është përfshirë një përshkrim faktik që shtrihet në periudhën kohore nga viti 1998 deri në vitin 1999 dhe përfshin, ndër të tjera fshatin R. dhe fshatrat përreth rajonit të V., nga arsyetimi i aktgjykimit nuk rezulton se këto rrethana janë konsideruar të provuara si bazë e përgjegjësisë penale të të pandehurit”, thuhet në vendim.

Shkalla e dytë thekson se dispozitivi i aktgjykimit dënues duhet të përmbajë një përshkrim të qartë dhe të individualizuar të veprimeve për të cilat i pandehuri është shpallur fajtor.

Kolegji i Apelit po ashtu konstaton mospërputhje ndërmjet dispozitivit dhe arsyetimit të aktgjykimit, lidhur me të dëmtuarin B.H.

“Për Kolegjin e kësaj gjykate nuk është e qartë nëse B.H. është konsideruar viktimë konkrete e veprës për të cilën i pandehuri është shpallur fajtor dhe, nëse po, cili ka qenë veprimi konkret i ndërmarrë ndaj tij, në çfarë kohe dhe vendi është ndërmarrë ky veprim dhe në cilat prova është mbështetur ky konstatim”, vlerëson Apeli.

Gjithnjë sipas Apelit, aktgjykimi i ankimuar nuk përmban arsyetim të mjaftueshëm dhe të qartë për të gjitha faktet vendimtare. Aty thuhet se nuk është analizuar secila provë veç e veç dhe në lidhje me provat tjera, si dhe nuk është dhënë arsyetim bindës për pranimin apo refuzimin e tyre. Po ashtu, mungojnë arsye për tejkalimin e kundërthënieve ndërmjet deklarimeve të dëshmitarëve dhe provave tjera.

Sipas Apelit, në rigjykim, gjykata duhet t’i analizojë në mënyrë konkrete deklarimet, t’i krahasojë ato ndërmjet tyre dhe me provat e tjera, si dhe të japë arsye të qarta për pranimin ose refuzimin e tyre dhe për faktet që, mbi këtë bazë, i konsideron të provuara.

“Në rigjykim, gjykata e shkallës së parë duhet të përcaktoj në mënyrë të qartë dhe pa mëdyshje faktet konkrete që përbëjnë bazën e përgjegjësisë eventuale penale të të pandehurit Sllagjan Trajkovic, duke respektuar kufijtë faktik të aktakuzës dhe duke i vlerësuar provat individualisht dhe në ndërlidhje me njëra-tjetrën”, thuhet në vendim.

Apeli thekson se shkalla e parë duhet t të kujdeset që përshkrimi faktik i veprimeve inkriminuese në dispozitiv të aktgjykimit, të jetë në pajtueshmëri me provat të cilat janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor, t’i eliminojë shkeljet dhe pas vlerësimit të plotë të gjitha provave. të arrijë në përfundime të qarta për faktet vendimtare që derivojnë nga materiali provues, pastaj të vendos në mënyrë të drejtë e të ligjshme.

“Sa i përket pikave a), b) dhe d) të aktakuzës, Kolegji i Apelit udhëzon gjykatën e shkallës së parë që, në rigjykim, këto pika t’i shqyrtoj veçmas dhe të përcaktoj, për secilën prej tyre, faktet konkrete që pretendohet se i pandehuri i ka kryer, si dhe provat mbi të cilat mbështetet secili prej këtyre fakteve. Gjykata e shkallës së parë duhet të bëj një vlerësim të plotë të provave tashmë të administruara dhe, nëse vlerëson se për sqarimin e ndonjë fakti vendimtar ose për vlerësimin e mospërputhjeve ndërmjet deklarimeve është e nevojshme marrja e mëtejshme e provave, përfshirë marrjen në pyetje të përsëritur të dëshmitarëve përkatës, të ndërmarrë veprimet përkatëse procedurale”, thuhet në vendim.

Në fund, Apeli theksoi se i akuzuari mbetet në paraburgim deri në marrjen e një vendimi të ri.

Kolegji i Apelit që mori këtë vendim përbëhet nga Avni Mehmeti - kryetar, Albina Shabani-Rama e Valon Kurtaj - anëtarë.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 korrik 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Sllagjan Trajkoviqit, të cilin e akuzon për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, Trajkoviqi akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999 në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth kësaj komune, individualisht dhe në bashkëkryerje me personat tjerë, ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim në mënyrë ç‘njerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin dhe depërtimin e mijërave civilëve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile shqiptare që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt.

Me këto veprime, Trajkoviqi akuzohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësisë së Policisë Serbe dhe personave tjerë të armatosur dhe të uniformuar ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë aktualisht i inkriminuar si krime kundër njerëzimit nga Neni 143, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4, 1.6 dhe 1.7 lidhur me Nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi