Sadiku: Dje dita më e rëndë e karrierës sime politike, por Kosova fitoi
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, e ka cilësuar ditën e djeshme si një nga ditët më të vështira të karrierës së tij të shkurtër politike.
Në një reagim të gjatë, Sadiku ka thënë se ishte i ndarë mes përgjegjësisë institucionale, drejtësisë, së kaluarës së LDK-së dhe dashurisë së tij për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por që siç tha ai, kishte zgjedhur të respektonte vendimin e përbashkët të partisë.
“Kam zgjedh me respektu vendimin e përbashkët të partisë. Jo vetëm pse është vendim, por sepse unë besoj në bashkëpunim. Besoj në grup. Besoj në organizim. Besoj përtej individit”, shkroi Sadiku.
Ai ka thënë se e kishte parashikuar se do të përballej me kritika dhe ofendime, duke shtuar se pjesa më e vështirë për të është të jetojë me vendimet që merr.
“Unë nuk dua me qenë politikan që e ndryshon bindjen sipas duartrokitjeve të ditës. As politikan që, kur vendimi është i vështirë, fshihet pas të tjerëve”, deklaroi ai.
Sadiku ka marrë përgjegjësinë për qëndrimin e tij politik, duke theksuar se kishte vendosur të qëndronte me grupin e tij parlamentar dhe të mos ia atribuonte përgjegjësinë askujt tjetër.
Megjithatë, sipas tij, kjo tashmë është dytësore, pasi, siç është shprehur, “dje Kosova fitoi”.
“Dy partitë e para, përkundër krejt dallimeve mes tyre, bashkëpunuan. E gjetën një zgjidhje dhe institucioni mbeti. Kjo është më e madhe se unë. Më e madhe se një deputet, një votë apo një parti”, shkroi Sadiku.
Në reagimin e tij, deputeti i LDK-së i është drejtuar edhe presidentes Justina Shiroka-Pulës, duke i uruar detyrën dhe duke i bërë thirrje që të përfaqësojë të gjithë qytetarët.
“Prej dje nuk je Presidente e asnjë partie. Je Presidente e Republikës së Kosovës”, shkroi ai.
Sadiku ka theksuar rëndësinë e kujtesës historike, veçanërisht të luftës së UÇK-së, viktimave dhe familjeve që, sipas tij, ende presin drejtësi.
Ai ka bërë thirrje që vëmendja të jetë e orientuar edhe nga e ardhmja.
“Historinë duhet me e mbajt mend. Por nuk mundemi me jetu vetëm në të. Historia na tregon prej nga vijmë. Vizioni përcakton ku shkojmë”, shkroi Sadiku.
“Republika mbetet”.