Kurti uron Shiroka-Pulën: Do të punojmë bashkë për sukses të ish-krerëve të UÇK-së në apel
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen presidente të re të Kosovës, duke thënë se me këtë vendi ka institucione stabile.
Kurti, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se bashkë me zgjedhjen e presidentes është miratuar edhe ligji me ndryshime për Dhomat dhe Prokurorinë e Specializuar në Hagë.
“Republika ka presidente të re, profesoreshën Justina Shiroka-Pula, Kosova ka institucione stabile”, shkroi Kurti.
Ai ka thënë se do të punohet bashkë për suksesin në apel të ish-krerëve të UÇK-së.
Kurti ka falënderuar deputetët që morën pjesë në votim, si dhe kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për pranimin e propozimit.
“Shumë mund e përpjekje, për kompromisin në fund. Për Republikën e Kosovës!”, shkroi Kurti.
Në fund, ai ka uruar presidenten e re dhe të gjithë qytetarët e Kosovës.
Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar, mbrëmë në mesnatë, Justina Shiroka-Pulën për presidente të Republikës së Kosovës. Në votim kanë marrë pjesë 84 deputetë. Justina Shiroka-Pula ka marrë 81 vota, Eliza Hoxha një votë, ndërsa dy deputetë kanë abstenuar. Me 81 vota, Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e re e Kosovës.