Qeveria zhvillon mbledhjen e pestë, miraton disa projektligje dhe programe
Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar të martën, më 6 tetor 2026, mbledhjen e pestë elektronike, në të cilën ka marrë një sërë vendimesh dhe ka miratuar disa projektligje e programe.
Në këtë mbledhje, Qeveria ka miratuar Programin e Projektligjeve të Qeverisë për vitet 2026–2028.
Po ashtu, është miratuar Projektligji për Regjistrimin e Bujqësisë, i cili përcakton mënyrën e organizimit dhe zbatimit të Regjistrimit të Bujqësisë në territorin e Kosovës, përfshirë procedurat dhe metodologjinë për mbledhjen, përpunimin, ruajtjen, mbrojtjen dhe publikimin e të dhënave statistikore.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin për themelimin e Komisionit Qendror për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në të mirat materiale nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera, në kuadër të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent.
Një tjetër vendim i miratuar është ai për themelimin e Komisionit për përzgjedhjen e tre kandidatëve për anëtarë të jashtëm të Bordit të Pavarur për Masat e Përkohshme për Produktet Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit të Tregut.
Në mbledhje është miratuar edhe Koncept-dokumenti për Fushën e Akreditimit, i cili synon të kontribuojë në zhvillimin e infrastrukturës së cilësisë dhe përafrimin me acquis të Bashkimit Evropian në fushën e akreditimit.
Qeveria ka marrë vendim edhe për rialokimin e mjeteve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, në kuadër të nënprogramit “Projektet e Bashkëfinancimit me Kuvendet Komunale”. Rialokimi lidhet me projekte kapitale të përcaktuara përmes memorandumeve të mirëkuptimit të nënshkruara ndërmjet ministrit dhe kryetarëve të komunave përkatëse.
Ndër vendimet e tjera është edhe miratimi i Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike në Kosovë për vitet 2026–2027.
Gjithashtu, është miratuar Programi Vjetor 2026 për Rezervat Shtetërore të Mallrave.
Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Efiçiencë të Energjisë, i cili përcakton kornizën ligjore për promovimin dhe përmirësimin e efiçiencës së energjisë në Kosovë, duke synuar kursimin e energjisë, rritjen e sigurisë energjetike, mbrojtjen e mjedisit dhe adresimin e varfërisë energjetike.
Në fund, Qeveria ka miratuar kërkesën e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, me numër protokolli 1899, të datës 1 tetor 2026, për konfirmimin e interesit të përgjithshëm publik në ushtrimin e aktiviteteve përkatëse nga Ndërmarrja Publike “Trepça” Sh.A.