Çitaku i drejtohet Kurtit: Eja në Kuvend, votoje ligjin
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti me thirrje që të marrë pjesë në seancën e Kuvendit dhe të votojë ligjin.
Përmes një postimi, Çitaku i ka kërkuar Kurtit që të mos e vonojë pjesëmarrjen në Kuvend, duke theksuar rëndësinë që, sipas saj, ka çështja.
“Albin, eja në Kuvend. Ndali lojërat. Kosova është më e madhe dhe më e rëndësishme se kalkulimet politike ditore”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka thënë se kanë mbetur edhe pak orë dhe se deputetët e PDK-së janë në Kuvend duke pritur Kurtin dhe deputetët e tjerë.
“Ne jemi në Kuvend. Po ju presim, ju dhe të gjithë 91 deputetët që e votuan ligjin në lexim të parë. Eja dhe votoje ligjin”, ka deklaruar ajo.
Çitaku ka theksuar se votimi i ligjit, sipas saj, nuk duhet të shihet si favor ndaj PDK-së.
“Ky nuk është një favor për PDK-në. Është detyrim dhe nder për secilin prej nesh që ta mbrojmë UÇK-në, të kaluarën tonë dhe të ardhmen tonë”, ka shkruar ajo.
Deputetja e PDK-së i ka bërë Kurtit thirrje të drejtpërdrejtë: “Mos vono më. Eja në Kuvend. Votoje ligjin. Pa vonesë”.