Çmenduri për lamtumirën e Messit, biletat rishiten deri në 905 euro

Ndeshja mes Argjentinës dhe Beninit pritet të jetë një mbrëmje e veçantë, pasi do të shënojë paraqitjen e fundit të Lionel Messit me kombëtaren argjentinase.

Interesi i jashtëzakonshëm për këtë takim ka sjellë edhe polemika për rishitjen e biletave në tregun sekondar.

Sipas mediave argjentinase, disa influencerë kanë nxjerrë në shitje bileta me çmime shumë më të larta se ato zyrtare.

Mes tyre është edhe influenceri Chapu Martinez, i ndjekur nga më shumë se një milion persona në Instagram, i cili ka reklamuar bileta përmes rrjeteve sociale.

Biletat më të lira, të shitura fillimisht për rreth 53 euro, në rishitje ofrohen nga 350 euro, ndërsa për vendet më të mira çmimi arrin deri në 905 euro.

Sipas përllogaritjeve të La Nación, çmimet në tregun sekondar janë rritur mesatarisht me rreth 567% krahasuar me çmimin zyrtar.

Interesi për ndeshjen është aq i madh sa stadiumi Monumental, me rreth 85 mijë tifozë, pritet të jetë i mbushur plot.

Trajneri Lionel Scaloni ka thënë se kërkesa ishte aq e madhe sa “mund të kishim mbushur pesë stadiume”.

Ceremoni speciale për Messin

Përpara ndeshjes do të ketë performanca të disa artistëve, ndërsa ceremonia kryesore do të zhvillohet pas përfundimit të takimit.

Messit do t’i dorëzohet një pllakë përkujtimore dhe një fanellë speciale, ndërsa në ekranet gjigante të Monumentalit do të shfaqet një video në nderim të karrierës së tij me Argjentinën.

Në fund, vetë Messi do t’i drejtohet tifozëve për të mbajtur fjalimin e lamtumirës nga kombëtarja. /Zëri