Kurti gazetarëve: Ju mos hupni kohë me mua, tash shkoni te Bedri Hamza
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka përfunduar konferencën e sotme për media me një porosi për gazetarët, pas ofertës që i bëri PDK-së për zgjedhjen e presidentit në këmbim të votave për Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Kemi shumë punë tash, po edhe ju mos hupni kohë me mu. Tash shkoni pyetne kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën. Gjysmën e Grupit Parlamentar, veç gjysmën, jo krejt. Krejt edhe më mirë, por veç gjysmën”, tha Kurti.
Kjo deklaratë erdhi pasi Kurti kërkoi nga PDK-ja që të zotohet publikisht se do të sigurojë së paku gjysmën e votave të grupit parlamentar për kandidatin e propozuar për president, Bekim Sejdiu.
Në këmbim, Kurti u zotua se do të procedohet me leximin e dytë të Projektligjit për Dhomat e Specializuara.