Zelensky paralajmëron për një sulm të radhës masiv rus

Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se Ukraina po përgatit masa për t’iu kundërvënë përgatitjeve të Rusisë për një sulm masiv dhe po zbaton detyra prioritare në përgjigje të operacionit rus që synon logjistikën ukrainase.

Siç raporton Ukrinform, kreu i shtetit ukrainas e bëri të ditur këtë në Telegram pas një konference telefonike me zyrtarë qeveritarë, komandantë ushtarakë dhe përfaqësues të shërbimeve të tjera.

“Zyrtarët qeveritarë, së bashku me përfaqësuesit e autoriteteve rajonale, kanë përgatitur zgjidhje shtesë logjistike në përgjigje të operacionit të Rusisë kundër logjistikës ukrainase. Sot morëm informacione të përditësuara të inteligjencës mbi përgatitjet e Rusisë për një sulm masiv. Po përgatisim masa kundërvepruese. Kemi përcaktuar afate për një pjesë të konsiderueshme të detyrave dhe ato me prioritetin më të lartë tashmë po zbatohen”, ka thënë ai.

Njëkohësisht, Zelensky tha se ministri i Mbrojtjes dhe komandanti i Forcave Ajrore kishin raportuar mbi vendosjen e mjeteve të mbrojtjes ajrore dhe organizimin e linjave mbrojtëse për të mbrojtur objektet kyçe të përcaktuara.

“Ne po sigurojmë municionin e nevojshëm për aeroplanët F-16, sistemet e përgjimit dhe raketat mbrojtëse. Çështja më e vështirë është mbrojtja kundër raketave balistike dhe disponueshmëria e këtyre furnizimeve varet ekskluzivisht nga partnerët tanë. Ne po punojmë me ta çdo ditë”, theksoi më tej ai.

Përveç kësaj, presidenti shkroi se forcat ruse kishin sulmuar disa spitale ukrainase gjatë 24 orëve të fundit – në Kramatorsk dhe Krvyi Rih.

Sipas tij, shërbimet përkatëse reaguan. Ai shtoi se ishte e rëndësishme që Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës (DSNS) po reagonte me shpejtësi ndaj çdo incidenti të tillë në të gjitha rajonet.

Siç raportoi Ukrinform, njësitë e Forcave të Mbrojtjes të Ukrainës goditën një qendër ruse telekomunikacioni, një postë komande ushtarake dhe depo që përmbanin dronë e municione.