Kurti zotohet: Votoni presidentin sot, Ligjin për Specialen të enjten paradite

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është zotuar se nëse presidenti i ri zgjidhet sonte, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara do të votohet në lexim të dytë të enjten paradite.

Në konferencën për media, Kurti tha se zgjedhja e presidentit është “emergjencë”, ndërsa miratimi i ligjit është “urgjencë”, transmeton Zeri.info.

“Ligji është urgjencë, por presidenti është emergjencë. Presidenti duhet të zgjidhet sot, ndërsa ligjin duhet ta zgjedhim më pastaj, duke respektuar edhe rregullin 72-orësh”, tha Kurti.

Ai u zotua publikisht se, në rast të zgjedhjes së presidentit, të enjten paradite do të votohet leximi i dytë i projektligjit.

“Le ta zgjedhim presidentin sonte dhe unë publikisht zotohem para jush që në paraditen e së enjtes kalon leximi i dytë i Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ne e votojmë në lexim të dytë dhe këtë e bëjmë duke respektuar Rregulloren e Kuvendit të Kosovës”, deklaroi Kurti. /Zëri