Edhe në rigjykim, lirohen nga akuza dy të akuzuarit për rastin e përvetësimit të mbi një milion eurove

Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në rigjykim ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Mendim Sojevës dhe Ganimete Gashi-Ahmetit lidhur me akuzat për rastin e përvetësimit të mbi një milion eurove.

Në këtë rast, zyrtari i Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Mendim Sojeva, akuzohej për veprën penale “Përvetësimi në detyrë” dhe, në bashkëkryerje me zyrtaren e Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Ganimete Gashi-Ahmeti, akuzoheshin për “Hyrje në sisteme kompjuterike”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shpallja e aktgjykimit u bë nga kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili dhe anëtarët, Violeta Namani-Hajra e Kujtim Krasniqi.

Gjykatësi Ismaili tha se vendimi për lirim është marrë nga trupi gjykues me shumicë të votave.

Ndaj këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese pasi që ta pranojë vendimin në formë të shkruar.

Presenti në shpallje ishin të akuzuarit Sojeva me avokatin e tij, Ali Beka dhe e akuzuara Gashi-Ahmeti. Ndërkaq, nuk ishte i pranishëm askush nga Prokuroria Speciale.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 5 maj 2025 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve Sojeva dhe Gashi-Ahmeti. Por, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 6 tetor 2020, i akuzuari Mendim Sojeva akuzohej se, në cilësinë e udhëheqësit të divizionit për buxhet dhe financa në AKPPM, në periudhën prej vitit 2014 e deri në mars 2018, kishte përvetësuar paratë e tërhequra në emër të avancave për udhëtime zyrtare të zyrtarëve të AKPPM-së.

Sipas PSRK-së, këto avanca i ishin besuar të akuzuarit Sojeva në menaxhim sipas pozitës së tij, ku shumën e përgjithshme prej një milion e 355 mijë e 441 eurove e 14 centësh, të tërhequra nga zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Fatmir Kajtazi, e kishte pranuar i akuzuari Sojeva, duke nënshkruar në fletëtërheqje me rastin e pranimit për shumën 1 milion e 221 mijë e 501 euro e 14 centë, por për të cilat nuk ka dëshmi se ishin respektuar procedurat për tërheqje.

Në aktakuzë përmenden shuma të ndryshme të parave. Për disa prej tyre thuhet se ekziston dokumentacion i kompletuar, ndërsa për disa të tjera jo, ku vetëm në vitin 2017, sipas Prokurorisë, në emër të 40 zyrtarëve të AKPPM-së ishin tërhequr 290 mijë e 430 euro, të cilat zyrtarët kishin mohuar se i kishin pranuar këto shuma dhe se nuk ka dëshmi për pranim nga ana e tyre në emër të MSH-së.

E gjithë kjo shumë e avancave, sipas PSRK-së, ishte zotuar në Sistemin Informativ të Financave të Kosovës (SIMFK) me ID të përdoruesit Shkelzen Sadriu në vlerë 1 milion e 238 mijë e 764 euro, me ID të përdorueses Naime Shahini-Feta, në shumën prej 173 mijë e 305 euro, të cilët zyrtarë kishin mohuar se kishin bërë këto shuma të zotimeve, duke dyshuar në të akuzuarin Sojeva, i cili, sipas tyre, i kishte keqpërdorur fjalëkalimet e tyre.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se regjistrimi i shpenzimeve për avancat në SIMFK ishte bërë me ID të Dhurata Alihajdaraj-Veseli, në shumën prej 553 mijë e 269 eurove, me ID të Thesarit, Ibadete Shala, në shumën prej 156 mijë e 750 euro, dhe Bali Morina, në shumën prej 20 mijë e 850 euro, të cilët kishin mohuar se kishin bërë regjistrimin e shpenzimeve të avancave, duke e akuzuar të akuzuarin për keqpërdorim të fjalëkalimeve të tyre.

Sipas aktakuzës, aprovimi i tërheqjes ishte bërë nga zyrtari kryesor financiar në MSH, Musa Rexhaj, dhe ushtruesi i detyrës së zyrtarit kryesor financiar, Hajzer Dobra, kurse nga e gjithë shuma e tërhequr, të përdoruesit të të akuzuarit Sojeva ishin certifikuar 779 mijë e 289 euro, për të cilat në AKPPM nuk ekziston dokumentacion për arsyetimin e tyre.

Nga shuma prej 1 milion e 355 mijë e 441 euro e 14 centësh, të tërhequra në emër të avancave, për 133 mijë e 940 euro ekziston dokumentacion i kompletuar dhe gjysmë i kompletuar, kurse për avancat e tërhequra në vlerë prej 1 milion e 221 mijë e 501 euro e 14 centë, përveç fletëtërheqjeve të siguruara nga AKPPM dhe NLB, e të nënshkruara nga i akuzuari se i kishte pranuar, në AKPPM nuk ekziston asnjë dokumentacion se ato avanca ishin miratuar ose aprovuar nga menaxhmenti ose se cili zyrtar i kishte pranuar.

Kjo shumë e paarsyetuar si dëshmi, sipas PSRK-së, ishte përvetësuar nga i akuzuari Sojeva, i cili i kishte pranuar ato para, duke i shkaktuar dëm buxhetit të AKPPM-së – Republikës së Kosovës.

Po ashtu, sipas PSRK-së, Sojeva, në cilësinë e zyrtarit certifikues për qasje në SIMFK, dhe Ganimete Gashi-Ahmeti, si zyrtare shpenzuese për qasje në këtë sistem, nga 7 shkurti e deri më 12 shkurt 2018, përmes ueb-shfletuesit “Internet Explorer”, kishin hyrë në këtë sistem me fjalëkalim të personave zyrtarë të Ministrisë së Financave, kishin mbyllur avancat duke bërë regjistrimet si shpenzim dhe certifikim të avancave për udhëtime zyrtare të tërhequra nga banka në emër të zyrtarëve të AKPPM-së me user të Bali Morinës.

Kështu, të njëjtit pretendohej se kishin regjistruar kuponë shpenzimi në vlerë 20 mijë e 850 euro, ndërsa në emër të Ibadete Shalës kishin regjistruar si shpenzim të avancave për udhëtime zyrtare 72 kuponë në vlerë 154 mijë e 736 euro e 84 centë, në shumë të përgjithshme 175 mijë e 586 euro e 84 centë, me user të të akuzuarit Sojeva, duke u munduar të arsyetojnë këtë shumë të avancave të tërhequra nga Banka NLB, në emër të zyrtarëve të AKPPM-së.

Për këto veprime, Sojeva ngarkohej me veprat penale “Përvetësimi në detyrë” dhe, në bashkëkryerje me të akuzuarën Ganimete Gashi-Ahmeti, edhe për veprën penale “Hyrje në sisteme kompjuterike”. /BetimipërDrejtësi