Messi e përgatit jetën pas futbollit: tri klube, Messi Cup dhe hotelet
Lionel Messi po mendon gjithnjë e më shumë për të ardhmen, pas përfundimit të karrierës si futbollist.
Sipas një raportimi të BBC-së, ylli argjentinas po përgatit një kalim të fuqishëm drejt botës së biznesit dhe synon të ketë një rol aktiv si pronar klubesh.
Messi tashmë ka në pronësi tri klube. Pas blerjes së UE Cornellà-s dhe themelimit të Deportivo LSM në Uruguai së bashku me Luis Suárezin, ai ka marrë kontrollin edhe të CD Eldense, klub që garon në Segunda Division të Spanjës.
Sipas raportimit, Messi nuk dëshiron të jetë thjesht një investitor pasiv.
Ai ndjek nga afër ndeshjet e Eldenses dhe synon ta çojë klubin në La Ligë, duke ndërtuar një drejtim të përbërë nga njerëz të besuar.
Falë emrit të tij, klubi ka tërhequr tashmë më shumë se një duzinë sponsorësh të rëndësishëm.
Një tjetër projekt i rëndësishëm është Messi Cup, turneu ndërkombëtar për ekipet U-16 të akademive më të mira në botë. Edicioni i dytë do të zhvillohet në Miami nga 25 tetori deri më 1 nëntor dhe do të përfshijë 16 klube.
Përveç futbollit, Messi ka ndërtuar një perandori të madhe biznesi, që përfshin MiM Hotels, investime në pasuri të paluajtshme në Argjentinë dhe aktivitete në sektorin e gastronomisë në Katalonjë.
Sipas raportimit, argjentinasi nuk e sheh me interes të madh një të ardhme si trajner, pasi e konsideron atë një profesion të lodhshëm dhe jo shumë të qëndrueshëm.
Në vend të kësaj, gjithçka tregon se Messi po përgatitet për një kapitull të ri si sipërmarrës dhe pronar klubesh. /Zëri