Dardan Cena shkëlqen në Botërorin e Xhudos në Baku, rrëmben dy fitore
Xhudisti kosovar Dardan Cena ka zhvilluar një paraqitje të shkëlqyer në Kampionatin Botëror të Xhudos në Baku, duke regjistruar dy fitore të rëndësishme dhe duke u renditur mes 16 xhudistëve më të mirë në botë në kategorinë deri në 73 kilogramë.
Në përballjen e parë, Cena triumfoi ndaj Joshua Green nga Irlanda, ndërsa në luftën e dytë arriti një fitore të madhe ndaj kampionit olimpik nga Gjeorgjia, Lasha Shavdatuashvili.
Në xhiron e tretë, fati nuk ishte në anën e xhudistit kosovar, i cili megjithatë zhvilloi një paraqitje mjaft të mirë dhe la përshtypje pozitive në garën e zhvilluar në Baku.
Falë këtij rezultati, Dardan Cena siguroi 320 pikë olimpike, duke bërë një hap të rëndësishëm në garën për kualifikimin në Lojërat Olimpike.
Paraqitja në Baku është një tjetër dëshmi e progresit të xhudistit kosovar, i cili po vazhdon të konsolidohet në mesin e emrave më të mirë të kategorisë -73 kg.