Nga Portugalia: Ronaldo nuk do të kthehet në Kombëtare

Gazetari portugez Rui Santos nuk ka dyshime: Cristiano Ronaldo nuk do ta veshë më fanellën e Kombëtares së Portugalisë për sa kohë që Jorge Jesus do të jetë trajner.

Sulmuesi 41-vjeçar u largua nga grumbullimi i Portugalisë gjatë pushimit të kombëtareve, pas një përplasjeje të fortë me Jesusin, duke shkaktuar polemika të mëdha në mediat portugeze.

Shkak i përplasjes, vendimi i Jesusit

Në qendër të konfliktit ishte vendimi i Jorge Jesusit për të mos e aktivizuar Ronaldon në ndeshjen ndaj Norvegjisë. Ish-trajneri i Al Nassr e mbrojti publikisht zgjedhjen e tij edhe pas ndeshjes, duke theksuar se të gjithë lojtarët në skuadër janë të barabartë dhe askush nuk mund të ketë privilegje të veçanta.

Katër fitoret në katër ndeshjet e para të Portugalisë nën drejtimin e Jesusit i kanë dhënë trajnerit kredi të mjaftueshme për të mbrojtur vendimet e tij edhe përballë një figure si Cristiano Ronaldo.

Ftohje totale, pavarësisht mohimeve

Ditët e fundit u raportua se situata ishte qetësuar. Vetë Jesusi kishte deklaruar se ngjarja ishte “ujë i kaluar” dhe kishte lënë të hapur mundësinë e rikthimit të Ronaldos në grumbullimin e ardhshëm.

Megjithatë, Rui Santos këmbëngul se Ronaldo është i zemëruar me deklaratat e fundit publike të trajnerit në konferencë për shtyp.

Sipas gazetarit portugez, kjo është një shenjë e qartë se marrëdhënia mes Cristiano Ronaldos dhe Jorge Jesusit tashmë është dëmtuar në mënyrë të pariparueshme. /Zëri