Rama reagon pas protestës: Mos e urdhëroni policinë kundër popullit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas pamjeve të shfaqura gjatë protestës së mbrëmshme në kryeqytet, ku pati përplasje mes protestuesve dhe policisë së Kosovës.

Rama, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka kritikuar mënyrën e menaxhimit të situatës, duke thënë se protestuesit ishin veteranë të UÇK-së, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë të Kosovës që, sipas tij, kërkonin drejtësi.

“Sheshi është i njëjti. Qytetarët po ashtu. Vetëm juve ju është shpërfaqur pushteti”.

Postimi i plotë:

Protestuesit janë veteranët tanë, fëmijët e tyre dhe qytetarët e Kosovës. Kërkojnë drejtësi dhe mbajnë me krenari emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pamjet duke i rrahur në shesh e duke u mjekuar në QKUK janë të dhimbshme. Pas secilës pamje është një njeri, një familje e shqetësuar, dikush që doli për të kërkuar drejtësi dhe përfundoi i shtrirë, i rrahur dhe i fyer nga policia e shteti i vet. Këto pamje kërkojnë shpjegim dhe përgjegjësi!

Detyra e institucioneve është t’i mbrojnë qytetarët dhe të drejtën e tyre për protestë. Përgjegjësia individuale për një incident nuk mund të përdoret për ta delegjitimuar një protestë të tërë.

Pakënaqësia qytetare kërkon përgjigje politike. Gazi lotsjellës nuk e zëvendëson atë.

Albin Kurti dikur mbajke ligjërata për xhipat e zinj dhe bërtiste: “Pse po frikësoheni nga populli?”. Mbrëmë, ai dhe të gjithë deputetët e tij ikën nga ky popull me qata xhipa të zi!

Albin Kurti dikur thoshte se sheshet janë të qytetarëve. Të qytetarëve janë edhe sot!

Mos e ktheni policinë në përgjigje ndaj dështimit tuaj politik. Merrni përgjegjësi dhe gjeni zgjidhje. Mandati juaj është për të qeverisur për popullin, jo për ta sulmuar atë me forcë!

MOS E URDHËRONI POLICINË KUNDËR POPULLIT.