5 pikë në 4 ndeshje, a janë të mjaftueshme për Kosovën?

Kombëtarja e Kosovës të dielën mbrëma e mbylli eksperiencën e saj në ndeshjet e muajit shtator dhe tetor në Ligën e Kombeve.

Dardanët luajtën në Ligën B të Ligës së Kombeve, ndërsa nga katër ndeshje të zhvilluara, i grumbulluan pesë pikë.

Fillimisht e mposhtën Irlandën 1:0 në “Fadil Vokrri”, ndërsa më pas nuk ditën më se çka është fitorja.

Humbën nga Austria në Vjenë me rezultat 1:3, barazuan pa gola me Izraelin në Hungari dhe në fund barazuan me Austrinë në Prishtinë me rezultat 1:1.

Kosova e ndan vendin e dytë bashkë me Irlandën me nga pesë pikë, ndërsa Austria si lidere i ka tri pikë më shumë.

Tash pasi ndeshjet kanë përfunduar, është koha për t’i bërë llogaritë.

A janë të mjaftueshme pesë pikë në katër ndeshje për Kosovën, që i bie pak më shumë se një pikë për lojë? Me siguri se jo, pasi është dashur t’i kishte të paktën dy pikë më shumë nga ai barazim i papritur me Izraelin, ku selektori Foda bëri eksperimente duke e ndryshuar ekipin në mënyrë drastike.

Ekipi i Franco Fodës do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje, të fundit në këtë edicion të Ligës së Kombeve, në muajin nëntor, ndaj Izraelit dhe kundër Irlandës.