OVL UÇK: Kurti e Sveçla dje e goditën UÇK-në me uniformën e shtetit

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas protestës së djeshme në Prishtinë, duke dënuar, siç thotë, dhunën e ushtruar nga Policia e Kosovës ndaj veteranëve dhe protestuesve.

Në reagimin e publikuar në Facebook, OVL UÇK-ja ka drejtuar akuza ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Kurti e Sveçla dje e goditën UÇK-në me uniformën e shtetit”, thuhet në titullin e reagimit, transmeton Zeri.info.

Sipas OVL UÇK-së, ajo që ndodhi gjatë protestës përbën “një njollë të rëndë” për institucionet e Kosovës.

“Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla, dy dezertorë të luftës, e vunë Policinë përballë veteranëve tanë, të cilët luftuan, u plagosën dhe dhanë gjymtyrët e tyre për ta bërë të mundur këtë shtet”, thuhet në reagim.

Organizata ka kërkuar përgjegjësi për personat që, sipas saj, kanë urdhëruar dhe zbatuar veprimet policore, si dhe hetim për çdo rast të mundshëm të tejkalimit të kompetencave.

“OVL UÇK-ja kërkon përgjegjësi të plotë për urdhëruesit dhe zbatuesit e kësaj dhune, si dhe hetim të menjëhershëm për çdo tejkalim të kompetencave”, thuhet më tej.

Në fund, OVL UÇK-ja ka kërkuar lirimin e Ekrem Selimit dhe Fadil Zogajt, për të cilët thotë se po mbahen në paraburgim nga organet policore. /Zëri