Komandanti i FSK-së priti në takim komandantin e KFOR-it, diskutuan situatën e sigurisë

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti në takim lamtumirës komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash.

Në njoftim thuhet se gjatë takimit u diskutua për situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe për bashkëpunimin dhe koordinimin e vazhdueshëm ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe KFOR-it, duke vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve dhe rëndësinë e koordinimit të përbashkët.

“Po ashtu u theksua rëndësia e vazhdimit dhe ngritjes së bashkëpunimit profesional dhe operacional, përmes angazhimeve të përbashkëta, shkëmbimit të përvojave dhe koordinimit ndërinstitucional”, thuhet në njoftim.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, vlerësoi rolin dhe kontributin e KFOR-it në sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, duke riafirmuar përkushtimin e FSK-së për vazhdimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me KFOR-in.

Në fund gjeneral Jashari i uroi shëndet dhe suksese gjeneralit Ulutash me rastin e përfundimit të misionit të tij si KOMKFOR dhe marrjes së detyrave dhe përgjegjësive të reja në karrierën e tij ushtarake.